S k a n d a l o z e

 

L U L Z I M   B A SH A,

NJË NGA NDËSHKUESIT E GJENERALËVE TË UÇK’së

 

Gazeta "Le Temps", Baraybar dhe Lulzim Basha.

 

     Disa muaj më parë, mediat i bënë jehonë një interviste të antropologut Jose Pablo Baraybar, të botuar tek gazeta zvicerane "Le Temps". Baraybar njihet prej publikut si një prej ekspertëve të përfshirë në hetimin e atyre që përfliten si krime të UÇK’së, apo historia e "shtëpisë së verdhë". (Lexoni të gjitha dëshmitë rreth implikimit të Lulzim Bashës: Dosjet kundër UÇK’së, Komisioni i Sigurisë thërret ministrin Basha - Sh.B) Ky hetim famëkeq për shqiptarët, i kryer prej një skuadre ku merrnin pjesë ekspertë ndërkombëtarë të punësuar pranë UNMIK’ut dhe pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në ish’Jugosllavi, edhe pse ende nuk ka prodhuar asnjë përfundim serioz e të besueshëm, ka pasur jehonë në media ndërkombëtare, po edhe në institucione të ndryshme të angazhuara në rajon. Bëhet fjalë pikërisht për hetimin, të cilit iu referua Carla del Ponte, ish’ kryeprokurorja e Hagës, në librin e saj, sipas të cilit në luftën në Kosovë rezulton që shqiptarët të kenë bërë po aq krime sa edhe serbët, edhe pse këta të fundit siç dihet, ishin të organizuar në represionin e tyre e në qëllimin për të spastruar etnikisht atë territor që historikisht ka qenë i banuar prej shqiptarësh. Prej hetimeve të tilla ka marrë spunton dhe raporti kontrovers i zviceranit tjetër, Dick Marty’t, raport që tashmë është bërë shkak për nisjen e hetimeve të reja nga ana e EULEX’it. (Shikoni video’materialin: Raporti i Marty’t, provat e gënjeshtrës - Sh.B) Për raportin Marty dhe për historinë e "Shtëpisë së Verdhë" është folur gjatë, e palët interpretojnë sipas interesave, mirëpo, sipas Baraybar’it, e jo vetëm sipas tij, në ekipin e hetuesve që ka "zbuluar" atë çka pretendohet se ka ndodhur gjatë luftës, pra vrasje e tortura të kryera nga ana e UÇK’së, ka qenë dhe Lulzim Basha. Sipas Baraybarit, Basha ka qenë me të në veri të Shqipërisë, si përkthyes e si jurist. "Basha e njeh dosjen, ai e ka pasur atë", - ka thënë antropologu peruan publikisht tek gazeta "Le Temps". E menjëhershme ka qenë përgjigjja e Lulzim Bashës, që ishte Ministër i Brendshëm në momentet kur u botua intervista e Baraybar’it, e kur sapo kishte nisur diskutimi: Basha mohoi të kishte qenë pjesë e hetimeve, edhe pse në CV’në e tij shkruhet se bash në atë kohë ai ka qenë në shërbim të Gjykatës Ndërkombëtare e të UNMIK’ut, dhe detyra e tij ka qenë pikërisht ajo: të shoqërojë ekipet hetimore, si përkthyes nga shqipja në anglisht dhe anasjelltas, dhe si jurist.

 

 

Shtojcë e pashtriku.org

  

KUSH ËSHTË LULZIM BASHA?

 

    Lulzim Xhelal Basha i lindur më 12 qershor 1974 në Tiranë, është politikan shqiptar, ish’Ministër i Brendshëm, ish’Ministër i Jashtëm dhe ish’Ministër i MPPT i Shqipërisë dhe deputet i Legjislaturës XVIII të Kuvendit të Shqipërisë. Aktualisht si kandidat i PD’së për zgjedhjet e 8 majit 2011, garon për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Familja e Lulzim Bashës është me prejardhje nga Drenica e Kosovës, pasi gjyshi i tij, në vitet e 40’ta të shekullit të kaluar detyrohet të ikë nga Kosova pas torturave serbe. Ai është jurist i specializuar në të drejtën Evropiane dhe Ndërkombëtare Publike në Universitetin e Utrechtit në Holandë.

Aktiviteti politik i Lulzim Bashës

 

    2007 - 2009 Ministër i Jashtëm

    2005 - 2007 Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

    Gjatë periudhës maj - korrik 2005 vepron si Zëdhënës i Fushatës Zgjedhore 2005.

    Nga maji i vitit 2005 dhe në vazhdim është anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë.

    Nga prilli i vitit 2005 dhe në vazhdim është anëtar i Këshillit Kombëtarë të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

    Nga janari i vitit 2005 dhe në vazhdim vepron si Koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave në Partinë Demokratike në Tiranë. Përgjegjës për koordinimin e punës së ekspertëve dhe komisioneve të KOP në përgatitjen, diskutimin dhe shpalljen e 17 projekt-platformave qeverisëse nga KOP për Partinë Demokratike të Shqipërisë.

    Gjatë periudhës Nëntor 2002 - Janar 2005 veproi si Këshilltar Special për Tranzicionin. Departamenti i Drejtësisë UNMIK, Prishtinë, Kosovë. Përgjegjës për përgatitjen e tranzicionit të Departamentit të Drejtësisë të UNMIK’ut drejt një Ministrie të Drejtësisë të Kosovës. Përfshinte përgjegjësitë për hartimin e plan-veprimit dhe mbikqyrjen e fazave të zbatimit të këtij plani.

     Gjatë periudhës Tetor 2001 - Nëntor 2002 vepronte si Zëvendës Shef i Kabinetit të Drejtorit të Departamentit të Drejtësisë UNMIK.

     Gjatë periudhës Korrik 2000 - Tetor 2001 ushtronte detyrën - Këshilltar Ligjor në Departamentin e Drejtësisë të UNMIK’ut.

Gjatë periudhës Maj 1998 - Korrik 1999 ishte pjesëtar i skuadrës së hetimit të krimeve të luftës nga forcat serbe në Kosove: Tribunali Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi.

 

Fred Abrahams: Basha personalisht ka hetuar informacionet

për vendet e këtyre burgosjeve në Veri të Shqipërisë!

 

Fred Abrahams

 

         Pas deklaratës së Bashës, pati dhe një reagim tjetër, nga mjeku nga Kosova, Tefik Gashi, edhe ai pjesëtar i ekipeve që kanë marrë pjesë në hetim. Gashi gjithashtu dëshmon për praninë e Bashës në hetimet në fjalë. Një tjetër konfirmim erdhi dhe nga Human Rights Watch, përmes përfaqësuesit të tyre Fred Abrahams. Në një deklaratë publike të kësaj organizate ndërkombëtare Abrahams pohon se Basha ka qenë në dijeni të hetimit, edhe pse në deklaratat e tij Basha tha se s'ka dëgjuar kurrë për këtë hetim. "Ai ka punuar për Gjykatën dhe Departamentin e Drejtësisë pranë UNMIK’ut pas luftës, dhe personalisht ka hetuar informacionet për vendet e këtyre burgosjeve në Veri të Shqipërisë", - tha Abrahams në deklaratën e tij publike. Por, për publikun shqiptar mbetet e paqartë situata e përfshirjes së Bashës në hetimin që çoi më vonë deri te deklaratat e Del Pontes e deri te raporti i Dick Martyt, edhe pse një gjë dihet me siguri: Basha nuk ka dëshmuar përmes publikimit të ndonjë dokumenti zyrtar mospërfshirjen e tij. Ai ka refuzuar pohimet e Baraybarit, Gashit dhe Abrahamsit duke thënë se këto janë shpifje, pasi ai ka punuar vetëm si ekspert për tranzicionin e Zyrës Ligjore të UNMIK’ut drejt Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, edhe pse CV’ja e tij tregon që ka qenë i angazhuar edhe si përkthyes e si oficer ligjor (jurist) pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në Ish’Jugosllavi dhe UNMIK’ut.

 

 

Lulzim Basha ka qenë pjesë e grupit të hetuesve, si në rastin

e Fatmir Limajt, ashtu dhe në atë të Daut Haradinajt…

 

     Ndërkohë që është duke bërë fushatë për Bashkinë e Tiranës, Basha i detyrohet publikut më shumë transparencë mbi të shkuarën e tij, duke pasur parasysh sensitivitetin që rrethon çështje të tilla. Përfshirja në "çështjet delikate", Limaj, Haradinaj etj. Njerëz që kanë punuar me Bashën tregojnë se në vitet e para pas luftës ai ka qenë pjesë e ekipit të përkthyesve për Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në ish’Jugosllavi, ndërkohë që punonte edhe për hetuesit e departamentit ligjor të UNMIK. Basha fillimisht ka qenë thjesht përkthyes, po më pas, falë përkushtimit në punë dhe përgatitjes si jurist, ka marrë pjesë edhe në përpilimin e dosjeve, edhe në përgatitjen e padive që hapën disa procese tepër të famshme gjyqësore.

     Mes tyre, proceset ndaj disa prej komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së sapodalë nga lufta. Ndër ta, mund të përmendim Fatmir Limajn dhe Daut Haradinajn. Të dy gjeneralët e UÇK’së, që sot janë deputetë në parlamentin e Kosovës, u akuzuan pas lufte për krime, u hetuan nga ndërkombëtarët, e u dënuan, ndërkohë që Lulzim Basha ka qenë pjesë e grupit të hetuesve, si në rastin e Limajt, ashtu dhe në atë të Haradinajt. Në rastin e Fatmir Limajt, historia dihet prej shumëkujt në Prishtinë. Lulzim Basha ka qenë pjesë e grupit që ndërtoi dosjen për të, për Haradin Balën dhe Isak Musliun. Të tre drejtuesit e UÇK’së u transferuan në Hagë në 2003, me kërkesën e Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Ish’Jugosllavi, mbi ta rëndonin akuza që mund t'i mbanin gjatë pas hekurave, akuza të cilat janë renditur edhe nga Lulzim Basha. Fatmirësisht, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës i rrëzoi akuzat, dhe vendosi të lirojë gjeneralët e UÇK’së që qenë dërguar në burg edhe me ndihmën e bashkatdhetarëve të tyre.

 

Lulzim Basha ka qenë pjesë e grupit që ndërtoi dosjen për Fatmir

Limajn, për Haradin Balën dhe Isak Musliun!

 

     Në rastin e Daut Haradinajt çështja është më pak e njohur për publikun shqiptar. Daut Haradinaj, vëllai më i ri i Ramush Haradinajt, ka qenë një prej komandantëve të parë të UÇK’së, i angazhuar në luftë që prej fillimit të organizimit të UÇK’së, bashkë me Adem Jasharin, Rexhep Selimin, Abedin Rexhën etj. Daut Haradinaj ka qenë komandant i UÇK’së për zonën e Dukagjinit, një prej njerëzve më të respektuar për atë që ka bërë gjatë luftës në Kosovë, një prej luftëtarëve më heroikë. Por në 2002, si pasojë e një hetimi të gjatë të Departamentit për Drejtësi të UNMIK’ut, Daut Haradinaj, së bashku me katër luftëtarë të tjerë dërgohen në burg, për krime gjatë luftës. Në përkthimin e dëshmive të tyre, si edhe në përpilimin e dosjes, ka marrë pjesë edhe Lulzim Basha, që po ngjiste shkallët e karrierës në po këtë Departament të UNMIK’ut. Daut Haradinaj, si pasojë e këtij procesi, u dënua dhe bëri tre vjet burg në Kosovë, për të dalë më pas nga burgu edhe më i rehabilituar, duke u bërë kohët e fundit deputet në Kuvendin e Kosovës.

 

Lulzim Basha ka qenë përkthyes gjatë hetimit

 të çështjes së “Shtëpisë së Verdhë!

 

     Veç këtyre dy rasteve, në Prishtinë e dinë që Basha, por edhe të tjerë të ardhur prej Republikës së Shqipërisë për të punuar me UNMIK’un e me ndërkombëtarët, kanë marrë pjesë në hetimin e luftës për çlirimin e Kosovës. E trishtueshme është që këto hetime kanë rezultuar në përbaltjen e kësaj lufte, gati-gati duke barazuar serbët me shqiptarët sa i përket krimeve, edhe pse realiteti ka qenë ndryshe, e të gjithë e dimë se shqiptarët kanë luftuar kundër një regjimi kriminal, me të drejtën e plotë për të mbrojtur veten, njerëzit e tyre dhe atdheun. Por sot shumë pak flitet për këtë dimension të pasluftës: për ndihmën e vetë shqiptarëve për të ndëshkuar UÇK’në. Sigurisht, mund të thuhet që Basha ka bërë punën e tij. Ai është sjellë si "profesionist" i ftohtë, ka çuar deri në fund punën që i është besuar nga shefat e tij, pa hezituar të marrë pjesë në proceset që hodhën baltë mbi luftën e shqiptarëve të Kosovës, duke barazuar rezistencën e një populli ndaj shtypjes së organizuar të një ushtrie shtetërore e duke hetuar e gjykuar ata që, të ndodhur në kushte të pazakonta, po bënin çmos për të ruajtur tokat prej të cilëve po shpërnguleshin, e njerëzit e tyre, të cilët po përndiqeshin e po vriteshin.

     Nuk ka vend për gjykim moral në rastin e Bashës, profesioni është profesion. Ama edhe transparenca duhet bërë mbi aktivitetin profesional, në mënyrë që publiku të ketë mundësi të vlerësojë sa më plotësisht me votën e vet kandidatin. Një ish’koleg i Bashës na tregon se detyra e tyre ka qenë të merreshin me të gjitha çështjet e hetimit që janë hapur nga gjykata ndërkombëtare e Hagës, sa i përket krimeve të luftës. Madje, për këtë qëllim është krijuar edhe stafi, i drejtuar nga Elizabeth Press, në vartësinë e së cilës ka qenë dhe Lulzim Basha. Elizabet Press ishte shefe e rekrutimit të gjykatës së Hagës dhe nën drejtimin e saj janë punësuar shqiptarët përkthyes të prokurorëve që nisën hetimet e luftës në Kosovë. Nga fundi i vitit 1999 deri në vitin 2002 janë përpiluar të gjitha dosjet e hetimeve për krime luftë, dhe stafi i zyrës së rekrutimit të gjykatës së Hagës ka qenë pjesë e përpilimit të të gjitha akuzave me të cilat përballen edhe sot ish luftëtarët e UÇK’së në Kosovë. "Ishte detyra jonë. E për këtë duhet të lëviznim nga Prishtina, në Pejë dhe Mitrovicë. Këtë punë ka bërë kushdo, edhe Lulzim Basha", - na tregon ish’përkthyesi që ka punuar për zyrën e Elizabeth Press.

 

Një nga dokumentet e UNMIK'ut, ku figuron emri i Lulzim Bashës!

 

     Përkthimet për pjestarët e kësaj zyre kanë nisur nga hetimet e Fatmir Limajt e deri tek "Shtëpia e Verdhë" në Kukës. Antropologu Jose Pablo Baraybar, që ka qenë pjesë e ekipeve hetimore, është shprehur publikisht se Basha ka qenë përkthyes gjatë hetimit të çështjes së "Shtëpisë së Verdhë", që ka rezultuar në deklaratat famëkëqija të Del Pontes dhe tek raporti i fundit i Dick Marty’t, por Lulzim Basha e ka hedhur poshtë këtë pretendim, duke thënë publikisht se nuk ka qenë kurrë përkthyes për këtë çështje. E vërteta sërish qëndron pezull, gjithsesi mbetet i vlefshëm fakti që Lulzim Basha duhet të lejojë shqyrtimin e të kaluarës së tij, madje duhet të ndihmojë dhe vetë për sqarimin e publikut sa i përket përfshirjes së tij në këto çështje kaq sensitive për shqiptarët. Si figurë publike që është, tani që kandidon për një nga postet më të rëndësishme në Shqipëri, ai i detyrohet pak më shumë transparencë votuesve të tij potencial.

 

Basha nuk ka qejf të shprehet për aktivitetin e tij në Kosovën e pasluftës

 

     Ka një periudhë të jetës së Lulzim Bashës, për të cilën nuk shkruhet shumë. Madje, as vetë ish’ministri që ka mbajtur tre nga portofolat më të rëndësishëm të qeverisë shqiptare, atë të Ministrisë së Transporteve, të Jashtmes dhe të Brendshmes, nuk ka qejf të shprehet për atë periudhë. Bëhet fjalë për periudhën përpara vitit 2005, para se Lulzim Basha të angazhohej zyrtarisht me Komitetin e Orientimit të Politikave, organin elektoral të PD’së në zgjedhjet e atëhershme. Zyrtarisht, në CV’në e ish’ministrit që tashmë kandidon, shkruhet se deri në 1998 ai ka përfunduar studimet në Universitetin e Utrecht’it në Holandë, me gradën Master i së Drejtës (Ligj). ( Shikoni: Shtëpinë e Lulzim Bashës në Utrecht të Holandës -Sh.B) Në vitet 1998 - 99, ai deklaron se ka punuar për Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në ish’Jugosllavi, në 2000-2001 ka qenë Këshilltar Ligjor pranë Departamentit të Drejtësisë së UNMIK’ut, në 2001-2002 zëvendësshef i kabinetit të Drejtorit të Departamentit të Drejtësisë, e më pas, deri në 2005, ka punuar si këshilltar special për tranzicionin (ligjor) pranë së njëjtës zyrë, e cila po përgatitej të shndërrohej në Ministri të Drejtësisë në Kosovë. Mirëpo gjatë viteve të fundit, me të marrë përsipër një rol më politik në Shqipëri, mediat kanë filluar të publikojnë edhe disa hipoteza të tjera mbi të shkuarën e Bashës. Disa prej tyre e kanë shqetësuar vërtet ish’ministrin e Berishës, i cili disa herë ka bërë dhe deklarata jo shumë të qarta në lidhje me aktivitetin e tij në Kosovë.

 

Lulzimi së paku në 6 muajt e parë të qëndrimit në Kosovë është

shoqëruar vetëm me ndërkombëtarë, madje i shmangej të folurit shqip!

 

     Po cila ka qenë jeta e Bashës në Kosovën e pasluftës?

     A ka ndonjë arsye për mosndriçimin e asaj periudhe të jetës së kandidatit për Bashkinë e Tiranës?

     I riu ambicioz që erdhi nga Holanda Lulzim Basha është rekrutuar prej Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Ish’Jugosllavi kur sapo kish përfunduar studimet, ende pa ndonjë eksperiencë pune në profesionin e tij. Miq të tij gjatë periudhës së shkollimit në Holandë, tregojnë që Basha dallohej për ambicien e tij, sidomos në marrëdhëniet me pedagogët. Jo rrallë Bashën e ftonte për darkë dhe vetë dekani i Universitetit, që me sa duket e ka pasur për zemër djalin nga Shqipëria. Ish’kolegë të Bashës tregojnë që Lulzimi së paku në 6 muajt e parë të qëndrimit në Kosovë është shoqëruar vetëm me ndërkombëtarë, madje i shmangej të folurit shqip. Sokol Zogaj aktualisht zyrtar i lartë në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë, tregon se deri vonë të gjithë mendonin se Lulzim Basha duhet të qe ndonjë i huaj, sepse askush nuk e kishte dëgjuar të fliste shqip.

     Një tjetër ish’koleg i Bashës, që ka qenë me të edhe në Utrecht, dhe më vonë në Kosovë, thotë e justifikon mosfoljen e shqipes si një dukuri normale, pasi, sipas tij, duke qenë se si studentë të sapodalë nga shkolla, po përpiqeshin të ndërtonin një karrierë në UNMIK, kjo varej më së shumti prej shefave, që ishin të kombësive të ndryshme, por asnjëherë shqiptarë. Por, duke qenë se ishte punësuar për hetimet e krimeve të luftës, Basha nuk mund t'i shmangej çdo kontakti me vendasit. Puna e tij nënkuptonte midis të tjerash edhe përkthimin nga shqipja në anglisht të hetimeve të deponuara nga dëshmitarët, si dhe dëshmitë e të paditurve, kështu që "ndërkombëtari" Basha, pas disa muajve u mor vesh se qe shqiptar. Gjithsesi, djali i shkolluar në Holandë vijoi të kalonte pjesën më të madhe të kohës me ndërkombëtarë. Në rrethin e tij shoqëror gjatë 5 vjetëve të kaluar në Kosovë hynë shumë pak shqiptarë, dhe ata kryesisht nga Shqipëria.

     Në këtë grup miqsh bënin pjesë edhe mikesha e tij Argita Berisha-Malltezi (vajza e kryeministrit Sali Berisha), i shoqi, Jamarbër Malltezi, Edit Harxhi, Albana Vokshi, Florion Mima, si edhe kunati i vetë Bashës, Erion Isufi. Ky grup, si edhe disa shqiptarë të tjerë që punonin pranë UNMIK’ut asokohe, vijojnë të jenë dhe sot një rrjet individësh, të cilët gjatë vjetëve kanë dëshmuar që kanë ditur të bëjë shumë punë, në favor e në të mirë të njëri-tjetrit. Pak janë ish’kolegët e Bashës që ende vijojnë të punojnë në Kosovë, e ata që kanë mbetur hezitojnë të flasin. Ndoshta pse është fushatë elektorale. Po ç'të keqe mund të ketë vallë të tregosh për publikun historitë rinore të një nëpunësi të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK)? Për më tepër që të gjithë miqtë e tij, në anonimitetin e tyre imponues, tregojnë se Basha i ri ka qenë një djalë elegant, gjithnjë i kujdesshëm për pamjen e tij, e nga buza e tij nuk shqitej kurrë buzëqeshja. Por s'besojmë se arsyeja pse Basha i fshihet të shkuarës së vet është thjesht buzëqeshja e tij.

 

Basha lëvizte i shoqëruar e i siguruar prej rojeve ndërkombëtare!

 

     Sot në Prishtinë, një pjesë e mirë e miqve të tij që punonin me të janë tashmë pjesë e administratës së shtetit shqiptar, ose janë përfshirë në sipërmarrje biznesesh përkëtej kufirit. Ata të paktë që kanë mbetur në Prishtinë, ende i ruajnë lidhjet e forta me Lulzim Bashën. Sokoli që sipërcituam, funksionar i lartë i ministrisë së Drejtësisë së qeverisë së Kosovës, që për disa vite ka punuar në departamentin e drejtësisë në të njëjtin institucion me Lulzim Bashën. "Njihej si një djalë i bukur, që hynte dhe dilte në zyrën e UNMIK’ut si në pasarelë, e grave aty u mbahej fryma sa herë djaloshi kalonte nëpër korridore", - tregon. Një tjetër shtetas shqiptar që ka punuar si përkthyes në zyrën e drejtuar nga Elizabet Press, e që sot ka një karrierë të suksesshme në Kosovë, nuk ruan ndonjë shije të mirë për djaloshin nga Shqipëria.

     Arbeni na thotë se Basha që prej asaj kohe shoqërohej vetëm me miqtë që e kanë ndihmuar fort për të qenë në krye të politikës shqiptare. Sipas tij, orët e lira në Prishtinë Basha i shpenzonte kryesisht me Argita Berishën, Jamarbër Malltezin, Edit Harxhin dhe Linda Baletën, si edhe me disa ndërkombëtarë. Asokohe, edhe pse Kosova ishte e shkatërruar prej luftës, jeta e natës në Prishtinë ofronte shumëçka. Një ekonomi e tërë e zbavitjes e ngritur rreth parave që shpenzonin ndërkombëtarët e punësuar në UNMIK e në KFOR, një oaz luksi në mes të një shkretëtire mjerimi. Në këtë qytet ku bashkëjetonin dy standarde krejt të ndryshme jetese, Lulzim Basha natyrisht që ka preferuar jetën e rehatshme. I akomoduar në një banesë të marrë me qira në një prej zonave më të shtrenjta në Prishtinë, menjëherë përballë hotel "Grand", Basha lëvizte gjithnjë brenda një zone të kufizuar, aty ku jetonin ndërkombëtarët. Edhe kur lëvizte, për të shoqëruar ekspeditat hetimore, si përkthyes e më pas si nëpunës i UNMIK, Basha lëvizte i shoqëruar e i siguruar prej rojeve ndërkombëtare.

     Në një deklarim publik të pasurisë së vet Basha ka argumentuar se nga puna e bërë nga vitit 1999-2004 në UNMIK ka pasur të ardhura rreth 80.000 euro në vit (diku tek 6800 euro në muaj). E në fakt, me këtë rrogë ia dilte të justifikonte një jetë krejtësisht të shpenguar në Kosovë. Vetëm për banesën e marrë me qira, një pallat përballë hotel "Grandit", në Prishtinë, ka paguar rreth një mijë euro në muaj. Edhe sot e kësaj dite apartamentet e pallatit në fjalë vazhdojnë të jepen me qira, kryesisht për të huajt, por e zonja e apartamenteve, si shumë të tjerë, heziton të flasë për Lulin kur mëson se ne jemi gazetarë. Ajo justifikohet e thotë se nuk i mban mend ish’klientët e saj, që kanë qenë kryesisht të huaj. "Këtu kanë hyrë dhe kanë dalë shumë njerëz, ndër ta mund të ketë qenë dhe Basha, por përveç dhënies së apartamentit me qira, ne nuk kemi pasur marrëdhënie të tjera", - tregon pronarja e shoqërisë "City Berry" që menaxhon pallatet përballë hotel "Grandit", në zemër të Prishtinës. Por Bashën e mban mend berberi i lagjes që e ka dyqanin shumë pranë hyrjes së pallatit. Si të gjithë berberët, ai nuk heziton të mburret me faktin që ka qethur e ka rruar djalin simpatik që ngjiti papritur me një kërcim të vetëm shkallët e karrierës në Shqipërinë mëmë. Pak metra më andej ndodhen ndërtesat ku kanë qenë zyrat e UNMIK’ut, aty ku Basha ka shërbyer për rreth katër vjet.

 

                                                                        ( Lindita Çela, Tiranë, 20. 04. 2011 )

 

 

( Ilustrimet i përgatiti moderatori i www.pashtriku.org )

 

 

Kallëzim penal për vjedhje dhe korrupsion për rrugën Durrës - Kukës
 
KALLËZIM PENAL KUNDËR KRYEMINISTRIT
SALI BERISHA DHE PESË
MINISTRAVE TË QEVERISË SHQIPTARE
 
Kallëzuesi: Avokat Gjet Kola
 
 
 
Kërkohet fillimi i procedimit dhe ushtrimi i ndjekjes penale për veprat penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në shumën mbi 500 milionë €, vepra penale të parashikuara nga nenet 135, 260 e 25 të Kodit Penal, ndaj Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. Z. Sali BERISHA si dhe ministrave Z. Lulzim BASHA, Z. Sokol OLLDASHI, Dr. Z. Genc Ruli, Dr. Z. Ridvan BODE dhe Prof. Dr. Z. Lufter XHUVELI. Këta autorë në bashkëpunim midis tyre, duke qenë përgjegjës dhe të përgjegjshëm, kanë abuzuar me fondet publike, kanë sabotuar në mënyrë të qëllimshme e të pariparueshme parametrat e rrugës Rrëshen-Morin që ka çuar në zgjatjen e saj deri 12 km, në kundërshtim me projekt idenë, me qëllim të vjedhjes e abuzimit me fondet publike, duke shpërdoruar detyrën dhe rritje të masës së mitës dhe si fitim të dhënë shoqërive të ndërtimit megjithëse ata kanë punuar me fondet e Buxhetit të Shtetit.
 
* * *
Kallëzimi është depozituar në Organin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë me datë 24.6.2009, me numër protokolli 1013-Gj, datë 24.6.2009.

K A  LL  Ë  Z  I  M     P E N A L
 
Kallëzuesi: Gjet Kola, i lindur në Mirditë më 15.08.1954, banues në rrugën “Don Bosko”, pall. nr. 19, ap nr. 17 Tiranë, tel. mob. 0692130060.
 
Objekti i kallzimit:
 
I. Kërkohet fillimi i procedimit dhe ushtrimi i ndjekjes penale për anëtarët e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë të drejtuar nga Kryeministri Prof. Dr. Z. Sali Berisha se në bashkëpunim kanë kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 e 25 i KP, për arsye se:
 
1. Kanë vendosur fillimin e punimeve pa projekt zbatimi duke bashkëpunuar dhe lejuar ndërtuesit që të sabotojnë, në gjithë gjatësinë, parametrat e rrugës Rrëshen-Orosh (Reps)-Kukës-Morin, që ka sjellur pasojë abuzimin me fonde publike e përfitime deri 500 milionë €, duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshëm të shtetit dhe të shtetasve.
 
2. Kanë vendosur financimin paraprakisht të shoqërive të ndërtimit me disa dhjetëra milionë € fonde nga buxheti i shtetit për blerje makineri e pajisje, në bazë të ligjit për ndërmarrjet shtetërore. I kanë trajtuar këto shoqëri si sipërmarrëse, edhe pse ato kanë vepruar me fonde të parapaguara të Buxhetit të Shtetit, me pasojë përvetësimin e fitimit që i përket shtetit shqiptar.
 
3. Kanë lejuar shoqëritë ndërtuese që të punojnë në kundërshtim me ligjet e Shtetit Shqiptar dhe të dëmtojnë rëndë mjedisin duke shkaktuar një masakër të pariparueshme në gjithë gjatësinë e rrugës Rrëshen-Orosh-Morin.
 
4. Me qëllim të lehtësimit të punës së ndërtuesve dhe për sabotimin e parametrave të rrugës, kanë lejuar ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Reps në shpatet e Gëziqit në formacione gjeologjike të paqëndrueshme.
 
5. Kanë miratuar ndërtimin e rrugës në zonën turistike-ekonomike të qytetit të Kukësit duke dëmtuar rëndë përspektivën e zhvillimit të këtij qyteti.
 
6. Kanë lejuar ndërtimin e rrugës Rrëshen-Orosh-Kukës-Morin, rreth 12 km, ose rreth 20 për qind më të gjatë në krahasim me variantin më optimal të mundshëm të paraqitur në studimin e fizibilitetit të rrugës Durrës - Morin dhe “Projekt idenë e përgjithëshme të rrugës Durrës-Orosh-Kukës-Morin”, të kryer nga Grupi i Studimit në dhjetor 2002 në bazë të marrëveshjes me Qeverinë Shqiptare dhe studimi i fizibilitetit i kryer nga shoqëria TECNIC/MOTT Mcdonald në shtator 2003, studim i me porosi të Qeverisë Shqiptare dhe me financimin e Bankës Botërore.
 
7. Kanë lejuar zgjatjen e tunelit të Thirrë-Kalimash për 1450 ml, me justifikimin për ulje në kuotë, por për të lejuar ngjitje në kuotë pas hyrje-daljes nga Kalimashi, duke shkaktuar një dëm prej dhjetëra milionë $/€ Buxhetit të Shtetit.
 
8. Për të lehtësuar punën e ndërtuesve, në të gjitha rastet për përfitime dhe në dëm të parametrave dhe me rritje të gjatësisë, për shkak se kërkohej inventar mjetesh shpuese, punë e kualifikuar, etj. kanë miratuar shmangjen e ndërtimit të shtatë tuneleve, gjysëm tuneleve e usekëve në segmentin Rrëshen-Reps me gjatësi 2290 ml, të tuneleve me gjatësi 160 ml në Reps, 150 ml në Sang, 200 ml në Kalimash (pas daljes nga tuenli i Thirrës), 450 ml në kthesat e Kolshit (për të realizuar parametrat) dhe një tuneli në Kodër të Pecës.
 
9. Kanë lejuar shkatërrimin e qëllimshëm të tokës bujqësore dhe të shumë banesave në gjithë gjatësinë e luginës së Fanit të Vogël në fshatrat Pëshqesh, Mashtërkor, Zajs, Shtrungaj, Bisakë, Klos, Zall Xhuxhë dhe Sang, kur një gjë e tillë ishte shmangur në projekt ide dhe ishte plotësisht e mundur të shmangej edhe gjatë ndërtimit. Me këtë veprimtari kriminale, është bërë shpërngulja e detyruar e banorëve të luginës, duke realizuar një ëndërr e pushtuesve turq, të cilët nuk kishin arritur ta bënin një gjë të tillë gjatë mbi 500 vjet të sundimit të tyre në Shqipëri. Duke i paguar me çmime simbolike për banesat e ndërtuara me gur të të gdhendur (vepra arti) dhe vetëm për tokën arë kanë pamundësuar jetën e këtyre banorëve.
 
10. Për të lehtësuar punën e ndërtuesve dhe për të rritur shkallën e përfitimit nga të gjithë, kanë lejuar shkatërrimin e rrugës lokale Kukës-Morin, 24 km të gjatë. Një nga pasojat e këtij akti kriminal është se rindërtimi i rrugës lokale për lidhjen e qendrave të banuara të kësaj zonë do të kërkojë miliona dollarë të tjerë dhe do të shkaktojë dëmtimin e sipërfaqeve të tjera të tokës bujqësore.
 
11. Për të shmangur vështirësitë gjatë ndërtimit, për rritjen e masës së përfitimeve për ndërtuesit dhe për vehte, kanë miratuar ndërtimin në gjurmën e rrugës ekzistuese Kukës-Morin, me pjerrësi deri 5 për qind e me rreze kthesash nën 250 m, duke shmangur qëllimisht ndërtimin e rrugës nga Kullë Luma, bregut të liqenit të h/c të Fierzës (degëzimi i Drinit të Bardhë). Në studimin e projekt idesë ishte konkluduar ndërtimi i këtij segmenti disa metra mbi rrugën e ndërtuar para rreth një shekulli me projekt të inxhinierve italianë e të zënë nga liqeni, pasi realizohej 6 km, ose 40 përqind, më e shkurtër, me pjerrësi nga 0-2 përqind, rreze kthesash mbi 400 m.
 
12. Për të rritur shpenzimet e punimeve dhe masën e përfitimit, kanë lejuar ndërtimin e rrugës Rrëshen-Morin rreth 12 km më të gjatë, duke lejuar sabotimin e qëllimshëm të parametrave, që përbëjnë veprime e mos veprime në kundërshtim të hapur me ligjin, të akuzuarit kanë shkaktuar dëme shumë të rëndë duke ulur efektivitetin e investimit mbi 30 për qind në krahasim me projekt idenë dhe variantin më optimal të mundshëm, dhe duke zbehur në mënyrë të përherëshme mundësinë që ky koridor të konkurojë me koridorin X, nga porti i Selanikut dhe drejtimin e Tivarit.
 
13. Me veprimet në kundërshtim me ligjin, përveç sabotimit të parametrave dhe rritjes së gjatësisë, që është dëmi shumë e shumë herë më i madh se vjedhja e fondeve publike, të akuzuarit i kanë bërë edhe një dëm tjetër të madh shtetasve të Republikës së Shqipërisë. Ata kanë hedhur ujë në mullirin e atyre individëve dhe qarqeve që propogandojnë se shqiptarët janë të paaftë të qeverisin, pasi për përfitime materiale dhe jo materiale të padrejta, janë të aftë të shkatërrojnë gjithçka, siç kanë vepruar në objektin më të madh ekonomik në Historinë e Shqipërisë.
 
Kryerja me dashje, nga anëtarët e Qeverisë së RSH-së, e këtyre veprimeve në kundërshtim me ligjin, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, pasi ju kanë sjellë atyre përfitime materiale dhe jo materiale të padrejta, dhe personave të tjerë përfitime të padrejta dhe kanë dëmtuar rëndë interesat e ligjshëm të shtetasve dhe të shtetit. Me miratimin e ndërtimit të rrugës në drejtimin më të gabuar të mundshëm, në të gjitha rastet për qëllime përfitimi e sabotimi, me pasoja tepër të rënda për interesat e sotme e të nesërme të shtetasve dhe të shtetit shqiptar, të kallzuarit kanë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim të parashikuar nga neni 248 e 25 të KP.
 
II. Kërkohet fillimi i procedimit dhe ushtrimi i ndjekjes penale për veprat penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në shumën mbi 500 milionë €, vepra penale të parashikuara nga nenet 135, 260 e 25 të Kodit Penal, ndaj
  • Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. Z. Sali BERISHA si dhe ministrave
  • Z. Lulzim BASHA,
  • Z. Sokol OLLDASHI,
  • Dr. Z. Genc Ruli,
  • Dr. Z. Ridvan BODE dhe
  • Prof. Dr. Z. Lufter XHUVELI.
  • Këta autorë në bashkëpunim midis tyre, duke qenë përgjegjës dhe të përgjegjshëm, kanë abuzuar me fondet publike, kanë sabotuar në mënyrë të qëllimshme e të pariparueshme parametrat e rrugës Rrëshen-Morin që ka çuar në zgjatjen e saj deri 12 km, në kundërshtim me projekt idenë, me qëllim të vjedhjes e abuzimit me fondet publike, duke shpërdoruar detyrën dhe rritje të masës së mitës dhe si fitim të dhënë shoqërive të ndërtimit megjithëse ata kanë punuar me fondet e Buxhetit të Shtetit.
 
III. Kërkohet fillimi i procedimit dhe ushtrimi i ndjekjes penale, për veprat penale të “Shkatërrimit të pronës me eksploziv” dhe “Shkatërrimi i pronës dhe me mjete të tjera”, të parashikuar nga nenet 152, 154 e 25 të Kodit Penal, ndaj projektuesve të segmentit rrugor Rrrëshen-Thirrë. Këta autorë, në bashkëpunim, kanë projektuar shkatërrimin e qëllimshëm të tokës bujqësore dhe të shumicës së banesave të fshatrave Pëshqesh, Mashtërkor, Zajs, Shtrungaj, Bisakë, Klos, Zall Xhuxhë e Sang, për të justifikuar shpenzimet e panevojëshme a dhe për qëllime të mirëfillta sabotimi, duke e shmangur ndërtimin e autostradës në aksin e përcaktuar në projekt ide, kryesisht në gjurmën e rrugës lokale, që ishte dhe drejtimi më i përshtatshëm.
 
IV. Kërkohet të vendoset sekuestro konservative mbi fitimin e shoqërive ndërtuese që janë financuar paraprakisht për blerjen e makinerive e paisjeve nga fondet e Buxhetit të Shtetit, si në veprimtarinë e ndërmarrjeve shtetërore, me vendime të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që janë mbajtur të fshehur shtetasve shqiptarë dhe opinionit ndërkombëtar, në kundërshtim flagrant me ligjin “Për Buxhetin e Shtetit, ligjin “Për prokurimin publik” etj. dhe nuk janë trajtuar si të punësuar por si sipërmarrës. Po të vihej në kushtet që Qeveria e RSH-së ka vënë shoqëritë ndërtuese, çdo qytetar shqiptar, madhor dhe i përgjegjshëm para ligjit, edhe duke fituar, për shkak të dashurisë për vendin e vet do ta kishte ndërtuar rrugën me parametra më të mira, pasi me paratë e marra paradhënie nga Qeveria e RSH-së, kishte mundësi të punësonte ekspertë për blerjen e makinerive, për hartimin e projekt zbatimit dhe për zbatimin e punimeve të ndërtimit të rrugës. Për të justifikuar sabotimin e parametrave të rrugës, zgjatjen me deri 12 km, shmangjen e ndërtimit të 11 tuneleve të vegjël, me rezultante vjedhjet, shpërdorimet, mitëmarrjen duke bashkëpunuar në vjedhje qindra milionëshe, Qeveria e RSH-së ka mashtruar shtetasit shqiptarë se nuk ka studim të rrugës, duke shmangur pagesën e çmimit të studimit të fizibilitetit të rrugës “Durrës-Morin” dhe të “Projekt idesë së përgjithëshme të rrugës Durrës-Orosh-Kukës-Morin”, të realizuar në bazë të një marrëveshje të lidhur me Qeverinë e RSH-së në janar 1993.
 
Baza ligjore: Neni 283 i KPrP.
 
P A R A :
 
DREJTUESIT TË PROKURORISË SË RRETHIT
 
Z. Gent XHOLI - T I R A N Ë
 
I nderuar z. prokuror,
 
Në vitin 1993, Grupi i Studimit i përbërë nga kallzuesi (që ishte dhe ideator i projektit e kordinator i grupit), inxhinierët z. Feti Gjici e z. Esat Kastrati (i cili ndërroi jetë më 11.02.2009), ka lidhur një marrëveshje me Qeverinë e RSH-së me Kryeministër Prof. Dr. Ing. Z. Aleksandër Meksi për realizimin e studimit të fizibilitetit të rrugës Durrës-Morin dhe të projekt idesë së përgjithëshme të rrugës më të përshtatshme për lidhjen e Durrësit me Morinin. Për realizimin e studimit me të gjithë treguesit, angazhuam bashkëpunëtorë: inxhinierët gjeologë z. Ali Rexhmati, z. Rustan Hasalami, z. Muhamet Elezi për studimin gjeologjik, inxhinierin topograf z. Ramazan Tota, specialistin e mjedisit z. Besnik Hallaçi dhe fotografin z. Gjergj Pepa.
 
Pas një pune të pandërprerë dhjetë vjeçare, me datën 30.11. 2002, përfunduam studimin e fizibilitetit të rrugës Durrës-Morin dhe “Projekt idenë e përgjithëshme të rrugës Durrës-Orosh-Kukës-Morin”, të cilin bashkë me anekset përkatëse me datë 05.12.2002 ja dorëzuam Qeverisë Shqiptare nëpërmjet Ministrit të Transporteve e Telekomunikacioneve z. Spartak Poçi.
 
Në bazë të kontratës së lidhur, Studimi do të kryhej me mjetet tona finaciare, ndërsa Qeveria e RSH-së do të paguante çmimin pas përfundimit të tij, në bazë të kritereve të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore.
 
Studimi u relizua për ndërtim autostrade me katër korsi, nga Vora në Morin, me parametrat e rrugës ekzistuese Durrës-Tiranë, meqenëse me këto parametra llogaritet se plotësonte nevojat e rajonit të Ballkanit në plan afatgjatë. Në bazë të këtij studimi, lidhja e Durrësit me pikën kufitare të Morinit realizohet me rrugë 167.03 km të gjatë. Krahas përcaktimit të elementëve teknikë në bazë të projekt normativave, u realizua studimi klimatik e hidrollogjik, rajonizimi i erës, rajonizimi i borës, reshjet e shiut, kushtet sizmike, studimi gjeologjik, etj.
 
Studimi u mirëprit si nga Qeveria ashtu dhe nga Opozita, për shkak se kishim argumentuar në mënyrë të pakundërshtueshme se rruga më optimale për lidhjen e deteve Adriatik e Jon jo vetëm me Kosovën por dhe me Maqedoninë, Bullgarinë, Serbinë, Rumaninë e më gjërë, është kalimi nëpërmjet luginës së lumit Fan i Vogël. Në korrik të vitit 2003 studimin e botuam në 412 faqe format A4 dhe kopje të tij ja vumë në dispozicion Presidentit të Republikës, Kryeministrit, disa ministrave, disa drejtuesve të Opozitës, drejtuesve të institucioneve të Kosovës, Trupit Diplomatik të Akredituar në RSH etj. Megjithëse kishte marrë në dorë studimin e fizibilitetit të 6 varianteve për lidhjen e Durrësit me Morinin dhe projekt idenë e përgjithshëme të rrugës Durrës-Orosh-Kukës-Morin, Qeveria Shqiptare, për të krijuar bindje dhe te ndërkombëtaret se studimi ynë është shkencor, dhe se është i mundur, i nevojshëm dhe i domosdoshëm ndërtimi i kësaj rruge, kërkoi përsëritjen e studimit të fiziblitetit nga një shoqëri e specializuar në këtë fushë. Pasi Banka Botërore premtoi finacimin e shumës prej 700 mijë $, për realizimin e këtij studimi u përzgjodh shoqëria TECNIC/MOTT Mcdonald. Në konkluzionet e studimit të përfunduar në shtator 2003, ekspertët e kësaj shoqërie u shprehën për efektivitetin e ndërtimit të rrugës në gjurmën e përcaktuar nga ana jonë në gjithë gjatësinë e rrugës, por pa dhënë asnjë argument, shfaqën mendimin për ndërtimin e një tuneli më të gjatë në Thirrë. Duke u bazuar në trafikun korent dhe në përspektivën e afërt të zhvillimit të transportit në Rajon, shoqëria TECNIC/MOTT Mcdonald i parashtroi Qeverisë Shqiptare opsionin e ndërtimit të rrugës me dy kalime dhe jo me katër korsi siç kishim konkluduar ne, në studimin që e kishim rreth një vit para.
 
Bazuar në studimin tonë, të realizuar me mjetet tona finaciare, dhe në studimin e realizuar nga firma TECNIC/MOTT Mcdonald, me financimin e Bankës Botërore vetëm për fizibilitetin (mundëshmërinë) e zbatimit të projektit, në mbledhjen e datës 7.10.2003, Këshilli Kombëtar i Rrugëve nën drejtimin e Kryeministrit, Prof. Dr. Z. Fatos Nano, ka miratuar studimin tonë për ndërtimin me katër korsi të rrugës Milot-Rrëshen-Reps-Thirrë-Kalimash-Kukës-Morin.
 
Në studim, kishim parashikuar vijën e kalimit të rrugës deri në detajet më të imta, në segmentin më të vështirë Rrëshen-Orosh (Reps)-Fushë Dukagjin-Kukës-Morin, edhe me profila gjatësorë, duke përcaktuar gjurmën e kalimit në parametrat më optimalë. Duke u bazuar në çmimet mesatare me të cilat ishin realizuar punimet në rrugë deri në vitin 2002, kosto e ndërtimit të segmentit Rrëshen -Orosh (Reps)- Thirrë-Fushë Dukagjin-Kukës-Morin, me pagesat e shpronësimeve, plotësimin e rrugëve dytësore llogaritej në 445 milionë $ me kursin e kohës prej 140 lek/$. Me kursin aktual të këmbimit prej 94 lekë/$ shpenzimet e ndërtimit do të rezultonin rreth 663 milionë $, ndërsa me kursin actual prej 133 lek/€, objekti duhej të realizohej me 469 milionë €. Por në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 1359, datë 10.10.2008 “Për miratimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve teknike dhe të analizave teknike të tyre”, është reflektuar rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit, limitet e shpenzimeve plotësuese. Duke reflektuar rritjen e vlerës së shpronësimeve dhe çmimeve të punimeve sipas këtij akti nënligjor, në nivelin maximal prej 50% në krahasim me vitin 2002, për segmentin Rrëshen-Orosh (Reps)-Fushë Dukagjin-Kukës-Morin, çmimi faktik i punimeve në këtë segment duhet të ishte: 445 milionë $ x 140 lekë/$ x 150 % : (kursin aktual 94 lekë/$, 133 lekë/€) = 994 milionë $, respektivisht 703 milionë €.
 
Llogaritja e çmimit të punimeve, relativisht të saktë, rezultoi fatal si për fatin e rrugës ashtu dhe për pagesën e çmimit të punës tonë. Me këtë veprim, ne i kishim bërë një shërbim të madh vendit, por duke i kufizuar Qeverisë së RSH-së mundësinë e abuzimit me fondet fondet publike kishim dëmtuar rëndë interesat tona. Ishte kjo arsyeja që, edhe pasi u krijuan fonde të mjaftueshme për hartimin e projekt zbatimit të rrugës nga taksa e vendosur për këtë qëllim, Qeveria e RSh-së nuk ndërmori asnjë hap në këtë drejtim. Megjithëse kishte studim fizibiliteti dhe të projekt idesë së përgjithshme të botuar e të bërë të njohur botërisht në disa qindra kopje, dhe studim fizibiliteti të realizuar nga firma prestigjioze TECNIC/MOTT Mcdonald që kishte provuar se gjurma më përshtatshme e kalimit është ajo e përcaktuar nga ana jonë në studimin e projekt idesë së përgjithëshme të rrugës Durrës-Orosh-Kukës-Morin, në vitin 2006 Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka vendosur fillimin e punimeve jashtë projekt idesë së hartuar në drejtimin më optimal, dhe pa hartuar projekt zbatimin e rrugës, megjithëse i kishte të gjitha mundësitë që një gjë të tillë ta bënte në një kohë të shkurtër duke përzgjedhur disa firma për projektimin e segmenteve të veçanta të rrugës.
 
Qëllimi i këtij vendimi të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, ka qenë abuzimi me disa qindra milionë €/$ fonde publike. Përveç kësaj, në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik ajo jo vetëm që nuk ka kërkuar garanci financiare nga sipërmarrësit, por i ka financuar ata nga Buxheti i Shtetit duke i trajtuar si ndërmarrje shtetërore. Me këto veprime e mosveprime, Anëtarët e Qeverisë, kanë konsumuar plotësisht elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës të parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal pasi është kriminal dhe i marrë në kundërshtim me ligjin e me përmbushjen e rregullt të detyrës vendimi për fillimin e punimeve pa projekt në një objekt që ka studim të projekt idesë me kosto ndërtimi, shpronësimi, rrugë dytësore nga Vora deri në Morin, që ka sjellë pasoja të rënda si në abuzimin me fondet publike dhe në cënimin e parametrave të rrugës. Krimin e shpërdorimit të detyrës e kanë konsumuar të gjithë antarët e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, pasi për shkak të detyrës ishin të detyruar të dinin se nuk mund të anashkalohej studimi i projekt idesë dhe të fillohet pa projekt zbatim, objekti më i madh e më i rëndësishëm rrugor në historinë e Shqipërisë.
 
II. Kryeministri, Prof. Dr. Z. Sali Berisha dhe ministrat Z. Lulzim Basha, Z. Sokol Olldashi, Dr. Z. Ridvan Bode, Dr. Z Genc Ruli dhe Prof. Dr. Z. Lufter Xhuveli kanë konsumuar dhe elementët e veprave penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 135, 260 e 25 të Kodit Penal, për arsye se:
 
Duke qenë të ngarkuar që të ruajnë dhe administrojnë paratë e Buxhetit të Shtetit, si rrugë për të justifikuar, shpërdorimin, vjedhjen dhe abuzimin e mbi pesëqind milionë € fonde publike, të kallzuarit kanë zgjedhur më të dëmshmen, devijimin e qëllimshëm nga studimi i projekt idesë së përgjithëshme të rrugës, për të arritur cënimin e parametrave, shmangjen e ndërtimit të tuneleve dhe urave mbi lumej, ndërtimin e viadukteve të panevojëshme, me pasoja tepër të rënda për interesat afatgjatë të ekonomisë, të shtetasve shqiptarë, dhe të Buxhetit të Shtetit.
 
Të kallzuarit kanë propoganduar në media se nuk kanë studim për rrugën, kur zotëronin dy kopje me materialet origjinale dhe disa kopje të botuara të studimit të plotë të fizibilitetit të rrugës Durrës-Morin dhe të projekt idesë së përgjithëshme të rrugës Durrës-Orosh-Kukës-Morin. Shmangja e studimit të projekt idesë, dhe fillimi i punimeve pa hartuar mbi bazën e tij projekt zbatimin, është bërë në bashkëpunim nga të kallzuarit me qëllim për të realizuar vjedhjen e fondeve publike, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv, duke konsumuar në bashkëpunim midis tyre elementët e veprave penale të: “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga nenet 135, 260 e 25 të Kodit Penal.
 
Krimi i shpërdorimit të detyrës i kryer kolektivisht nga Anëtarët e Qeverisë së Republikës si dhe veprat penale të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën e korrupsioni pasiv të kryer nga Kryeministri Prof. Dr. Z. Sali BERISHA dhe Ministrat e Punëve Publike, Transporteve e Telekomunikacioneve Z. Lulzim BASHA e Z. Sokol OLLDASHI, Ministri i Financave Dr. Z. Ridvan BODE, Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës Dr. Z. Genc RULI dhe Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujrave Prof. Dr. Z Lufter Xhuveli, që kanë trajtuar drejtëpërdrejt këtë problem, provohet nga pasojat e rënda që i janë shkaktuar projektit, sipas segmenteve të rrugës, dhe nga dyfishimi i çmimit të ndërtimit:
 
Në segmentin Rrëshen-Reps
 
Në bazë të projekt idesë së hartuar nga ana jonë, e konfirmuar edhe në studimin e fizibilitetit dhe në atë gjeologjik në veçanti nga TECNIC/MOTT Mcdonald ishte e provuar në mënyrë të pakundërshtueshme se rruga duhej ndërtuar në gjithë gjatësinë e bregut të lumit Fan i Vogël nga Ura e Fanit deri në Urën e Repsit në gjatësinë më të shkurtër vetëm 17.22 km, pasi realizoheshin parametrat më të mirë të mundshëm; rreze kthesash 400 m, pjerrësi gjatësore rreth 2%, garanci e plotë për trupin e rrugës dhe ndërtohej rrugë panoramike. Për realizimin e këtyre parametrave, duheshin ndërtuar shtatë tunele ose gjysëm tunele, me gjatësi të përgjithëshme 2290 ml dhe nga meandrimi i shpeshtë i lumit Fan i Vogël dhe 880 ml ura. Zbatimi i projekt idesë do të kishte shmangur plotësisht dëmtimin e ambientit. Çmimi i korrektuar i këtij segmenti do të rezultonte 240 milionë $, përkatësisht 168 milionë €, pasi do të ishte dhe pjesa më e kushtueshme e gjithë rrugës.
 
Të akuzuarit gjatë zbatimit, për të shmangur ndërtimin e 2290 ml tunele, gjysëm tunele e usekë dhe të 880 ml ure mbi lum, që kërkonin profesionalizëm, inventar makinash shpuese e teknikë, më tepër punë të gjallë, më tepër kohë për shkak të vështirësive në ndërtim që krijonte ngushtësia terrenit, kanë shmangur ndërtimin e rrugës bregut të lumit Fan i Vogël dhe kanë lejuar ndërtimin e rrugës në drejtimin e rrugës ekzistuese të Gëziqit, me pjerrësi mbi 5 %, me rreze kthesash rreth 250 m.
 
Është rritur gjatësia deri në 2 km në krahasim me projekt idenë duke u ngritur deri në 200 m në kuotë, rruga është ndërtuar në shpatet e paqëndrueshme nga pikpamja gjeologjike, jashtë parametrave teknikë, duke shkaktuar një dëm të madh ambientit. Janë ndërtuar disa viadukte të panevojshme për të justifikuar rritjen e kostos.
 
Të akuzuarit, kanë lejuar që nga Rrësheni në Reps rruga të ndërtohet në drejtimin më të gabuar të mundshëm dhe pa asnjë garanci qëndrueshmërie të formacioneve gjeologjike, thjesht për të lehtësuar punën e ndërtuesve dhe për të justifikuar shpërdorimin e vjedhjen e fondeve publike, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës e korrupsionin pasiv.
Kostoja e këtij segmenti, pas këtij sabotimi, nuk është bërë e njohur publikut.
 
Në segmentin Reps (Orosh)-Thirrë.
 
Në studimin e projekt idesë ishte llogaritur që në Kodër Reps të ndërtohej një tunel (ose usek), me gjatësi 160 ml, për të realizuar parametrat planimetrik, rrezen e kthesë. Pas kalimit të Përroit të Madh me një urë me HD 2x26 ml, gjurma duhej të vazhdonte në pjesën më të madhe mbi rrugën lokale ekzistuese. Nga Bisakët deri në Klos rruga duhej të ndërtohej bregut të majtë, pothuajse në terracën e lumit, po kështu dhe nga qendra e komunës Klos deri në fshatin Zall Xhuxhë. Në studim ishte dhënë zgjidhja më optimale edhe për segmentin Zall Xhuxhë-Sang- hyrja e tunelit në Thirrë, duke dëmtuar minimumin e tokës bujqësore, banesave etj. Gjatë ndërtimit, të akuzuarit kanë konsumuar veprat penale të cilat ju atribuohen, pasi kanë shmangur ndërtimin e tunelit (usekut) me L= 160 ml në Kodër Reps duke lejuar krijimin në atë pikë të një skarpate mbi 140 ml që, jo vetëm në periudhë reshjesh e ngricash, por që krijon vështirësi për një trafik normal dhe në periudha të tjera të vitit. Duke patur parësore veprimtarinë kriminale të vjedhjes e të korrupsionit pasiv, Kryeministri dhe ministrat e përmendur kanë miratuar projektet për shkatërrimin me eksploziv e mjete të tjera të fshatrave Peshqesh, Mashtërkor, Zajs, Shtrungaj, Bisak, Klos, Zall Xhuxhë, Sang duke e ngritur nivelin e rrugës, qëllimisht në mes të pronave, mbi rrugën lokale që ka qenë përgjithësisht më e përshtatshmja, për të realizuar dëmtimin e banesave private dhe të tokës bujqësore, në të gjitha rastet duke përkeqësuar parametrat dhe duke rritur gjatësinë e rrugës dhe duke zvogluar sa ka qernë e mundur mundësinë e konkurencës me Koridorin X dhe rrugën e Tivarit.
 
Të kallzuarit, për të justifikuar rritjen artificiale të shpenzimeve të ndërtimit të këtij segmenti, nuk kanë vendosur hartimin e project zbatimit në gjurmën e përcaktuar në studimin e projekt idesë së realizuar nga ana jonë, që është rekomanduar si më racionalja dhe në studimin e fizibilitetit të kryer nga shoqëria TECNIC/MOTT Mcdonald, për të shfrytëzuar luginën e lumit Fan i Vogël për ndërtimin e rrugës me parametrat më optimale, ku traseja do të formonte argjinaturën rrymë drejtuese që duhej të projektohej e papërmbytëshme, me përforcimet përkatëse në mbrojtje të saj në gjithë segmentin Mashtërkor-Thirrë, për shkak se ndërtimi i rrugës në drejtimin e përcaktuar në këto studime kërkonte punë të gjallë e të mekanizuar dhe nuk lejonte abuzime as me parametrat as me gjatësinë. Kosto faktike nuk i është bërë e njohur publikut.
 
Në Tunelin Thirrë.
 
Tuneli ishte llogaritur në kushtet më optimale me gjatësi 4150 ml. Tuneli duhej të kishte pikën e hyrjes tek përroi i Ekerit nga Thirra në kuotën 860 m dhe pikën e daljes në degëzimin e majtë të përroit të Kalimashit në kuotën 840 m. Pjerrësia gjatësore prej rreth 0.50% ishte llogaritur për të realizuar ventilim natyror si rezultat i diferencës së kuotave.
 
Kosto e korrektuar ishte llogaritur 231 milion $, përkatësisht 162 milionë €.
 
Gjatë zbatimit, për të rritur artificialisht shpenzimet, pasi nga studimi llogaritej se tuneli kalonte në formacione të qëndrueshme gjeologjike, Qeveria e RSH-së, Kryeministri dhe të akuzuarit e tjerë, kanë miratuar ndërtimin e tunelit 5600 ml, ose 1450 ml më të gjatë se i duhuri. Për të rritur artificialisht gjatësinë, është lejuar ndërtimi i kurbuar ( i harkuar) i tunelit dhe jo drejtëvizor sipas studimit të projekt idesë, duke zbritur në kuotë si nga Thirra dhe nga Surroi.
 
Duke lejuar ndërtimin e tunelit me dy pjerrësi gjatësore, duke shkelur normat gjatë zbatimit, të akuzuarit kanë shkaktuar pasoja të rënda teknike dhe ekonomike, ta pariparueshme, pasi:
 
a) Është rritur artificialisht për 1450 ml gjatësia e tunelit.
b) Eshtë zvogluar mundësia e ventilimit natyror, që shkakton rritje të shpenzimeve të shfrytëzimit ( që është pasojë e rëndë në krahasim me projektin), si dhe imponon gatishmëri absolute e infrastrukturës së ventilimit në 24 orët e ditës.
c) Ka rritje të rezistencës gjatë lëvizjes së automjeteve.
d) Zvoglohet shikueshmëria e për pasojë do të ketë rritje të aksidenteve.
e) Kurbëzimi (harkimi) i tunelit ka imponuar zgjerimin e përmasave e rritjen e qëllimshme të shpenzimeve të ndërtimit.
 
Kosto e ndërtimit të tunelit nuk është bërë e njohur publikisht, por ka të dhënë se është rritur mbi dy fish.
 
Në segmentin dalje e tunelit Surroj-Fushë Dukagjin.
 
Dalja e tunelit ishte projektuar pika më e lartë e rrugës, nga ku do të vazhdohej me ulje në kuotë, në dy anët e tij. Për të realizuar zbritjen në kuotë nga 840 m në dalje të tunelit në 515 m në Fushë Dukagjin ishte projektuar ndërtimi i një tombinoje 3x3x130 m, një tuneli 200 ml, një urë ballkon 320 ml, dhe disa urave më të vogla, 10 kthesa me rreze 400 m dhe 2 kthesa me rreze 250 m, dhe në metrin e 7250, arrihej në pikën e takimit të rrugës lokale të Surrojt me rrugën kombëtare.
 
Pjerrësia gjatësore maximale ishte projektuar 4.92 %.
 
Gjatë zbatimit, për të rritur artificialisht shpenzimet, të akuzuarit kanë lejuar rritjen e gjatësisë së rrugës me 2610 ml, ose për 36 %. Pas daljes nga tuneli rruga është ngritur rreth 30 m në kuotë duke e kompromentuar zgjatjen e tij me 1450 ml, pa asnjë rast analog në historinë e ndërtimit të tuneleve në botë. Ngritja e nivelit të rrugës deri në kuotën 860 m do të përkeqësojë shfrytëzimin gjatë dimrit, sepse ngritja është bërë në zonën kalimtare më të rrezikshme të Kalimashit ku trashësija e borës shkon dhe mbi 50 cm më e lartë se në krahun e Thirrës dhe me akullzim si pasojë e erërave të ftohta.
 
Është lejuar cënimi i parametrave të rrugës, me ndërtimin e 20 kthesave me rreze 250 m, në pjesë të veçanta edhe 3 kthesa për km nga 1-2 sipas normave. Nga 1.655 kthesa/km sipas projektit janë ndërtuar në fakt 2.033 kthesa/km, që lejojnë shpejtësi V=80 km. Kjo ka justifikuar zgjerime tej gabariteve normale, por përsëri kërkon uljen e shpejtësisë e do jetë burim aksidentesh.
 
Nga të kallzuarit është lejuar ndërtimi i rrugës me pjerrësi gjatësore deri 6%, me një rritje deri 22 % në krahasim me projekt idenë.
 
Në segmentin Kukës - Morin.
 
Në projekt idenë e Grupit të Studimit janë studjuar dy variante për lidhjen e Kukësit me Morinin, nga Përbregu dhe nga Kullë Luma (bregut të liqenit të h/c të Fierzës). Varianti nga Kullë Luma është pranuar më i përshtatshmi, pasi lidhja me Morinin realizohet me 15 km rrugë, ose 4 km më të shkurtër se nga Përbregu në variantin e studjuar nga ne. Ka shpronësime të vogla në ish Zonën Industriale të qytetit dhe asnjë m2 tokë bujqësore e productive, le të lirë rrugën ekzistuese Kukës-Morin për përdorim local etj. Për realizimin e tij, në studimin e projekt idesë, parashikohej ndërtimi i një viadukti me gjatësi 200 ml në zonën depresive të qytetit të Kukësit, i një useku me gjatësi 400 ml dhe thellësi deri 15 m në lagjen Bozhe, një urë 350 ml mbi lumin Luma (liqenin e h/c) dhe një tunel 250 ml për të evituar kthesën që dikton pozicioni i kodrës dhe për të ruajtur Kalanë e Pecës, për të vazhduar ndërtimin e rrugës deri afër pikës kufitare në kuota 315 deri 320 m.
 
Gjatë zbatimit, të akuzuarit për të rritur artificialisht shpenzimet dhe për të justifikuar abuzimin me fondet publike, për të dëmtuar qytetin e Kukësit dhe përspektivën e zhvillimit të ekonomisë e të turizmit në këtë qytet, për qëllime që i dinë veç ata, nuk kanë miratuar asnjerin nga variantete e paraqitur në studimin e projekt idesë për daljen nga qyteti i Kukësit, por kanë miratuar ndërtimin e rrugës në bregun e liqenit të h/c të Fierzës. Me këtë veprim ata kanë lejuar që nga ndërtimi të shkaktohet një masakër urbane në qytet, të bëhet një zbatim teknikisht i gabuar, të bëhet shkatërrim i plotë mjedisor, duke shkelur edhe dispozita konkrete të ligjit për urbanistikën.
 
Veprimtaria kriminale e të kallzuarve është konkretizuar gjatë ndërtimit të rrugës me shkatërrimin në mënyrë të pariparueshme, thelbësore të Planit Rregullues të qytetit të Kukësit, duke lejuar ndarjen e zonave funksionale të tij thuajse në gjithë gjatësinë, e konkretisht: Zonën e banimit e pushimit, brezin e gjelbër (pyllin park), plazhin me elementët e tij, qe kanë qenë elementët thelbësorë të Planit Urbanistik të qytetit. Pasojat e veprimtarisë kriminale të të kallzuarve, janë shumëplanëshe.
 
Në planin ekonomik:
 
a) Rruga, nuk është distancuar por është ndërtuar mespërmes, në gjithë gjatësinë e zonës prioritare turistike të bregut të liqenit, duke asgjësuar plotësisht mundësinë e zhvillimit të ekonomisë së turizmit në këtë qytet.
b) Rruga, nuk është kaluar në kufirin e Zonës Suburbane të caktuar nga studimi rajonal e mjedisor, por kalon në zonën urbane të tij duke e dëmtuar rëndë atë.
c) Ndërtimi i rrugës, ka dëmtuar përspektivën e shtrirjes së qytetit pasi ajo përshkon zonën e caktuar për ndërtim në Planin Urbanistik.
ç) Janë dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme rreth 100 ha tokë bujqësore e productive.
d) Kërkohet ndërtimi i rrugës dytësore dy kalimshe 24 km të gjatë nga Kukësi në Morin, kur ajo kursehej në rreth 90 %, po qe se do të zbatohej projekt ideja për ndërtimin e rrugës në bregun e liqenit, disa metra më lart se rruga e ndërtuar nga inxhinierët italianë para rreth tetë dekadash.
e) Lidhja e qytetit të Kukësit me pikën kufitare të Morinit është realizuar me rrugë rreth 21 km, nga 15 km që realizohej me ndërtimin e rrugës nga Kullë Luma, me zgjatje rreth 6 km ose rreth 40%, që e bën të domosdoshëm ndërtimin e këtij segmenti në të ardhmen, pasi shkurtimi justifikon një ndërmarrje të tillë.
 
Në planin teknik:
 
a) Traseja e rrugës është kaluar në zona të pjerrta, veçanërisht në zonën e Hotel Turizmit, me pasoja për këtë object dhe e papërshtatshme nga ana topografike dhe planimetrike në lidhje me urën ekzistuese të Drinit të Zi.
b) Rruga është ndërtuar në zona të paqëndrueshme e me pjerrësi të madhe të shpateve, veçanërisht në segmentin Komisariati i Policisë-Ujësjellës, ku ka ndërtime nëntokësore (tunele) me pasoja e rrezikshmëri.
c) Traseja e rrugës, ka prekur rrjetin e sapondërtuar rrugor funksional të qytetit, duke ngushtuar distancat e autostradës me objektet e banimit.
ç) Zgjidhjet teknike të perspektivës së zgjerimit të qytetit do të kërkojnë ndërtime rrugësh paralele, mbi e nënkalimesh e masa të tjera inxhinierike, që do të kërkojnë shpenzime suplementare dhe që do të shtojnë çmimin e rrugës.
d) Në zonën e qytetit, janë ndërtuar tre kthesa me rreze nga 100 deri 150 m të pa lejueshme për rrugë të kësaj kategorie.
 
Në rrafshin ambientalist:
 
a) Duke e ndërtuar paralel me vijën ujore liqenore, rruga do të shkaktojë ndotje të përherëshme të liqenit.
b) Rruga ka asgjësuar zonën e pushimit pasi është shkatërruar zona e gjelbërt, parku periferik si dhe lidhjet e zonës së banimit me zonën e pushimit dhe të plazhit.
c) Duke kaluar paralel me ndërtimet ekzistuese, autostrada ndot qytetin e Kukësit në gjithë gjatësinë me pluhura, gazra dhe zhurma, duke cënuar rëndë standartet e banimit.
ç) Si rezultat i skarpatave të mëdha të krijuara nga gërmim mbushjet, rruga do të shkaktojë erozione të pariparueshme.
 
Të kallzuarit duke patur pozitat më të larta në administratën shtetërore, e në administrimin e parave të Buxhetit të Shtetit, me qëllim të përmbushjes së objektivave të tyre të abuzimit me mbi 500 milionë € fonde publike, me justifikimin e fitimit në kohë, kanë lejuar ndërtimin e rrugës në drejtimin më të lehtë e me më pak shpenzime në kurriz të parametrave dhe të gjatësisë. Në mbi 90 % të gjatësisë së saj, rruga Rrëshen-Orosh-Fushë Dukagjin-Kukës-Morin, është ndërtuar në drejtimin më të papërshtatshëm të mundshëm, në të gjitha rastet në dëm të parametrave dhe me rritje të gjatësisë.
 
Të akuzuarit kanë lejuar që gjatë zbatimit, edhe boshtet e urave të mos ndërtohen sipas përcaktimit në projekt ide, si zgjidhje e përbashkët e urës me gjurmën e rrugës, për shkak se ato kondicionojnë njera tjetrën, por janë ndërtuar viadukte të panevojshme për të shmangur ndërtimin e urave, të tuneleve e gjysëm tuneleve që kërkojnë punë të gjallë dhe të mekanizuar. Në përcaktimin e urave të kallzuarit kanë lejuar që të mos merret parasysh studimi gjeologo-inxhinierik i kushteve hidrologjike dhe i prurjes së lumejve, kur dihet se lumi Fan i Vogël deri në bashkimin me Fanin e madh ka një basen ujë mbledhës deri 400 km2 ndërsa lumejtë Leshniecë e Luma deri në bashkimin me Drinat (liqenin) kanë basene më të vegjël.
 
Megjithëse, kanë qenë përshkruar hollësisht në studimin e projekt idesë së realizuar nga ana jonë mundësitë që në sektorët Mashtërkor-Zall Xhuxhë, traseja të kalojë në brigjet e lumit Fan i Vogël, për të formuar argjinaturën rrymë drejtuese, që realizohej e pa përmbytëshme me përforcimet përkatëse në mbrojtje të saj, të kallzuarit kanë lejuar ndërtimin e trasesë në shpatet anësore të lumit, absolutisht në të gjitha rastet në dëm të parametrave: rreze kthesash, zhvillim planimetrik dhe altimetrik dhe në të gjitha rastet me rritje të gjatësisë.
 
Si rrjedhojë e veprimtarisë kriminale të të kallzuarve, që në bashkëpunim kanë konsumuar elementët e veprave penale të shpërdorimit të detyrës, vjedhjes duke shpërdoruar detyrën korrupsionit pasiv, ndërsa projektuesit e segmentit Reps-Thirrë veprat penale të shkatërrimit të pronës me eksploziv dhe me mjete të tjera, çdo qytetar nga Republika e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Bullgarisë, Serbisë, Rumanisë e më gjërë, do të harxhojë mbi gjysëm ore nga jeta e tij për çdo kalim si rrjedhojë e rritjes së gjatësisë mbi 12 km dhe cënimit të parametrave edhe nën ata të lejuar për autostradë, prodhuesit për çdo ton mall të transportuar duhet të paguajnë çmimin e 12 t/km më shumë, drejtuesit e mjeteve do të harxhojnë nga 2 deri në 10 litra karburant për rrugë më shumë në varësi të llojit të mjetit.
 
 
 
Përveç sabotimit të parametrave dhe rritjes së gjatësisë, që është dëmi shumë e shumë herë më i madh se vjedhja e fondeve publike pasi kanë ulur mundësinë e konkurencës me koridoret e Selanikut dhe të Tivarit, të akuzuarit i kanë bërë edhe një dëm tjetër shumë të madh shtetasve të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar kudo ku ai jeton. Ata kanë hedhur ujë në mullirin e atyre individëve dhe qarqeve që propogandojnë se shqiptarët janë të paaftë të qeverisin, pasi jo vetëm qeveritë e republikave Qendër Aziatike por dhe ato Afrikane ku janë në modë shprehjet e banditizmit politik, mund të kishin lejuar edhe në këtë nivel abuzimin me fondet publike por jo dhe cënimin e parametrave e rritjen e gjatësisë siç kanë vepruar të kallzuarit.
 
Me veprimet dhe mosveprimet e tyre në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës të kallzuarit, anëtarët e Qeverisë së RSH-së kanë konsumuar plotësisht elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim të parashikuar nga neni 248-25 i KP, Kryeministri Prof. Dr. Z. Sali Berisha, minstrat Prof. Dr. Z. Lufter XHUVELI, Z. Lulzim BASHA, Z. Sokol OLLDASHI, Dr, Z. Genc RULI dhe Dr. Z. Ridvan Bode në bashkëpunim kanë kryer veprat penale të:
a) Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën të parashikuar nga neni 135 e 25 të KP;
b) Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë, parashikuar nga neni 260 e 25 të Kodit Penal.
 
III. Hartuesit e projekt zbatimit të segmentit Rrëshen- hyrje e tunelit Thirrë kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Shkatërrimit të pronës me eksploziv” dhe “Shkatërrimi i pronës dhe me mjete të tjera”, në bashkëpunim të parashikuar nga nenet 152, 154 e 25 të Kodit Penal në fshatrat, pasi në mënyrë të qëllimshme dhe duke patur miratimin e heshtur të të kallzuarve të tjerë kanë hartuar projekt zbatimin për shkatërrimin e pasurive të paluajtëshme, banesa, tokë arë etj., në gjithë pjesën e banuar të luginës së Fanit nga Pëshqeshi, Mashtërkor, Zajs, Shtrungaj, Bisak, Klos e Zall Xhuxhë dhe Sang. Ata, ndoshta për të përmbushur një objektiv të parealizuar të pushtuesve turq dhe për të rritur masën e përfitimeve, kanë shkaktuar edhe masakër mjedisore. Nëse do të kishin ndjekur përgjithësisht gjurmën e rrugës lokale të ndërtuar në drejtimin më të përshtatshëm të mundshëm do të shkaktonin një dëm shumë herë më të vogël. Projektuesit e segmentit rrugor Rrëshen-Thirrë, në bashkëpunim kanë kryer këtë masakër mbi pronat e qytetarëve të kësaj zonë në mënyrë të qëllimshme, me miratimin e të kallzuarve të tjerë që kishin mandatin e popullit, dhe duke qenë të gjithë madhorë e të përgjegjshëm para ligjit, e kishin detyrim ligjor që të mos e lejonin një gjë të tillë.
 
IV. Të akuzuarit, në kundërshtim me çdo praktikë në historinë e veprimtarisë ekonomike të shteteve kanë financuar paraprakisht blerjen e makinerive nga ndërtuesit dhe për të abuzuar me fitimin i kanë trajtuar ata si sipërmarrës e jo si të punësuar. Me këto kushte, ndërtimin e kishte realizuar çdo qytetar shqiptar madhor e i përgjegjshëm para ligjit, prandaj kërkohet të vendoset sekuestro konservative mbi fitimin e atyre shoqërive ndërtuese që janë financuar në bëzë të ligjit për ndërmarrjet shtetërore nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik, ligjin për Buxhetin e Shtetit, etj.
 
I nderuar Z. Drejtues i Prokurorisë,
 
Masakra e kryer në mjedis, sabotimi i parametrave me rritjen e pjerrësive, zvoglimin e rrezes së kthesave thuajse në të gjithë gjatësinë, shmangja e ndërtimit të të paktën 11 tuneleve, ½ tuneleve, usekëve me gjatësi rreth 3500 ml, zgjatja e panevojshme me 1450 ml e tunelit të Thirrës dhe ndërtimi i harkuar i tij duke rritur përjetësisht shpenzimet e shfrytëzimit, ndërtimi i rrugës në drejtimin më të gabuar të mundshëm, me pasojë rritjen e gjatësisë me mbi 12 km dhe uljen e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve nën ato të rrugëve të kësaj kategorie, që e ulin përjetësisht me deri në një tretën efektivitetin e investimit, me uljen e konkurencës me koridorin X (Selanik-Europa Qëndrore) dhe portin e Tivarit, janë të dallueshme për çdo udhëtar madhor që do të kalojë në këtë rrugë. Detyrë e organit të akuzës mbetet të provojë se të kallzuarit duke qenë se me ligj kanë qenë të ngarkuar që të mirë administrojnë paratë e shqiptarëve, me veprimet e tyre në kundërshtim me ligjet e shtetit shqiptar dhe me normat e të drejtës ndërkombëtare kanë konsumuar elementët e veprave penale të cilat ju atribuohen në këtë kallzim, shpërdorimin e detyrës, vjedhjen duke shpërdoruar detyrën dhe korrupsioni pasiv, pasi asnjeri prej tyre nuk njihet i papërgjegjshëm para ligjit.
 
Për këto arsye kërkoj:
Fillimin e procedimit dhe ushtrimin e ndjekjes penale ndaj të kallzuarve që ju atribuohet autorësia e këtyre veprave penale dhe marrjen e masave sipas objektit të këtij kallzimi.
 
K A L L Z U E S
Avokat Gjet KOLA
 
=================================
 
 
Datenschutzerklärung
Kostenlose Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!