![]() |
Një rikthim në origjinë Intervistë ekskluzive me Alessandro Castriota Scanderbeg, pinjoll i familjes së Gjergj Kastriotit –Skënderbeut SHQIPËRIA MË KA BËRË PËR VEHTE DHE S´MUND TË ARRATISET MË PREJ ZEMRËS TIME Intervistoi: Mereme LLUBANI (www.pashtriku.org – 05.06.2007) * Nga Gjergj Kastrioti kanë kaluar katërmbëdhjetë gjenerata ; i biri, Gjoni (Giovanni), që u vendos në Puglia dhe që vdiq në viti 1514, lindi Ferrante-n, i cili vdiq në 1561 dhe lindi Pardo-n, që vdiq në 1596 dhe lindi Fabio Costantino-n, që vdiq në 1615 dhe lindi Costantino Alessandro-n, i cili vdiq më 1643 dhe lindi Vitantonion, që vdiq në 1716 dhe lindi Alessandro-n, i cili vdiq më 1743 dhe lindi Vitantonio-n, i cili vdiq më 1811 dhe lindi Alessandro-n, që vdiq më 1803 dhe lindi Giorgio-n, që vdiq më 1846 dhe lindi Francesco-n, i cili vdiq më 1905 dhe lindi Luigi-n, i cili u spostua në Napoli dhe vdiq në vitin 1954, duke trashëguar Costantino-n, babain tim, pas të cilit vij unë, i lindur në Napoli dhe i vendosur në Kalabri. * "Më pëlqen shumë të imagjinoj…Jam një artist, aktor dhe shpesh kam dëshirë t’i jetoj emocionet. Për mua, një gjë e tillë është madhështore dhe mjaft tërheqëse, e sidomos kur ka të bëjë me bëmat e një heroi të madh, siç është Skënderbeu. Për këtë arsye, për ta vënë vehten në situatën e paraardhesit tim, preferova udhëtimin me anije që të vija në tokën e tij, ashtu siç kish ndodhur për të 600 vjet më parë. Sigurisht unë kalova vetëm detin, ndërsa ai mbi kalin e tij të bardhë përshkonte shpesh lartësitë e pamata, midis shqiponjave të maleve të larta". *** Dihet, që çdo rikthim është një pikënisje. Është pikërisht ky fenomen që ngacmoi një tjetër "Gjak Blu“ të familjes princërore shqiptare të Kastriotëve, (dega në vijë mashkullore e heroit tonë kombëtar), për të vizituar vendlindjen e të parëve dhe ndoshta për një fillim të ri... A.C.Scanderbeg në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë Një tjetër pinjoll i Kastriotëve, Alessandro Castriota Scanderbeg, viziton tokën e ëndërruar të stërstërgjyshit, për të zbuluar diçka prej prejardhjes së tij, si dhe për të njohur njerëzit me rrënjë të njëjta. Vizitat në Shqipëri pa bujë të pinjollëve të rinj, të lenë të kuptosh se ardhja e tyre, ska të bëjë me ndonjë formë shpalljeje a manifestimi të hapur "rivendikimi", por është një xhest intim, i cili ka trazuar dhe emocionuar gjithnjë ndërgjegjet e dëshirën, për preardhjen e të parëve të tyre. Pikërisht, një gjë të tillë deklaroi në fund të vitit '2004, gjatë vizitës së parë në Shqipëri edhe një tjetër Kastriot, me të njejtin emër, Alessandro Castriota Scanderbeg, lauruar në mjekësi, shkencëtar në neurologji dhe gjenetikë, i njohur për studimet e tij jo vetëm në Itali por edhe në vënde të tjera. Ai, mes të tjerash, për mediat u shpreh: "Historia e familjes sonë koinçidon me atë të Shqipërisë gjer në vitin 1468, kur vdekja e Gjergjit e la vendin pa asnjë udhëheqje dhe mbrojtje". Në të njejtën kohë, ai shpjegoi se "arsyet e lidhjes së fortë me tokën e të parëve nuk duhen kërkuar në faktore përkatesie të përbashkët jete dhe eksperience. Megjithatë për ne, mbetet përherë një gjurmë lidhjeje mjaft e kuptueshme e historisë sonë familjare me Shqipërinë. Madje, për të qenë edhe më i qartë, kjo lidhje me shqiptarët, përbën edhe momentin më të lartë e sublim të historisë sonë". Figura madhështore legjendë e Skënderbeut, ka kaluar me shekuj në një mit, ndërkohë që shkrimtari Gennaro Francione në librin biografik për Skënderbeun e ka cilësuar "një hero shumëplaneshi kohëve moderne dhe pionier të Bashkimit Europian ”. Ndaj shqiptarët, kudo që janë, identifikojnë krenarinë kombëtare me figurën e tij. Dhe s´ka si mos të jetë krenari për vetë pasardhësit e heroit. Një ndjesi e tillë të përshkon edhe kur mëson që prej trungut të kolosit legjendar, Gjergj Kastriotit, kanë dalë njerëz me vlera dhe personalitet të madh. Në gjashteqind vitet e jetës së princërve Kastriote në Itali, jetojnë dy degë: ajo e Napolit dhe ajo e Leçes. Tek hulumton përgjatë rrjedhës së shekujve, në jetën dhe karierën e pinjolleve kastriotas, nuk ke si të mos mrekullohesh tek ndeshesh me njerëz të ditur si : avokatë, gjykatës, mjekë, shkencëtarë, artistë, poetë, ushtarakë të lartë, klerikë, kryetarë bashkie, governatorë, e që kudo e kurdoherë kanë rrezatuar respekt, duke u nderuar dhe me tituj të lartë. Ja, pse e quaj veten me fat që rrëfimin dhe emocionet e ndjera të vizitës, sidomos në qytetin tim të lindjes, Krujë, një Kastriot i familjes së madhe, në bisedën që vijon, m'i besoi mua. Alessandro Castriota Scanderbeg në Muzeun e Krujës Mereme LLUBANI: Ju e vizituat për herë të parë Shqipërinë : ishte ky një rizgjim i zakonshëm i ëndrrës suaj apo ishte një arsye tjetër që ju shtyu ta ndërmerrnit këtë udhëtim? A.C.SCANDERBEG: Vizitën në Shqipëri e kam parë gjithmonë si një utopi, mbasi në imagjinatën time, ajo ka simbolizuar një lloj "rikthimi në Itakë" pas endjeve shekullore të brezave paraardhës. Unë banoj në Rossano të Kalabrisë, pranë komuniteteve arbëreshe. Aty kam konstatuar një farë mosinteresimi për pasardhësit e Gjergjit (Kastriotit), e kjo gjë më ka shtyrë të mendoj se shekujt kishin varrosur përgjithmonë, interesin për bijtë e tij. Por, para disa vjetësh, në '90-tën, duke takuar shqiptarët e parë që erdhën në Itali, mbeta i befasuar nga nderimi i thellë për Heroin tonë. Bile, njëri prej tyre që tani jeton e punon në New York, u hodh menjëherë në këmbët e mija, në kuptimin e vërtetë të fjalës, e nisi t’i puthë ato. Vetëm atëherë e kuptova se për shqiptarët, për të cilët nuk dija pothuajse asgjë për shkak të diktaturës, Skënderbeu ishte një gjysmëperëndi, pikërisht ashtu siç e imagjinoja unë që në fëmijëri, kur lexoja bëmat e tij të lavdishme, udhëhequr nga një shpirt i madh fisnik e modest. Skënderbeu luftoi shumë për të ndërtuar themelet e shtetit të parë shqiptar, që fatkeqësisht u shkatërruan pas disa vjetësh. Shumë shqiptarë morrën rrugën e mërgimit drejt Italisë, ku gjetën strehë në sajë të miqësive të prijësit të tyre me mbretërinë e Napolit. Ashtu si i biri, Gjoni, edhe pasardhësit e mëtejshëm të tij qenë të detyruar të ndërronin kombësinë, në kohën që tokat arbërore ranë për shekuj me rradhë në duart e turqve. E ky udhëtim i imi në trojet e ëndërruara prej brezave të Kastriotëve, përfaqëson brënda meje një rikthim në origjinë. Gjatë gjithë këtyre viteve nuk kam mundur të gjej një urë për në Shqipëri; as njerëz që mund të më shoqëronin, duke ndjerë dhe kuptuar në thellësi të zemrës së tyre arsyet që më shtynin drejt « rikthimit » në tokën e të parëve. E kështu, vetëm tani munda ta realizoj ëndrrën time, tashmë të përgjumur prej kohësh, duke njohur më në fund miq të tillë, që më tërhoqën nga dora, me të njëjtat dëshira identike si të miat dhe morrën rolin e udhërrëfyesit drejt tokës sonë të përbashkët. Nuk mundem sigurisht të mohoj që jam italian, napoletan dhe kalabrez njëkohësisht, por ati im i supozuar ka qënë gjithnjë Skënderbeu, ashtu siç është në të vërtetë edhe stërgjyshi im i dhjetë brezave më parë. E ky stërgjysh i imi është shqiptar.
A.C.SCANDERBEG: Si mjet transporti që do të më çonte në Shqipëri desha të zgjedh anijen, për ta vënë vehten në situatën e atij që kthehet në tokën e tij pas një misioni në Itali, ashtu si kishte ndodhur 600 vjet më parë me Gjergjin. Sigurisht, në atë kohë nuk mund të fluturohej me aeroplanë, edhe pse mbi kalin e tij të bardhë ai përshkonte shpesh lartësitë e pamata, midis shqiponjave të maleve të larta. Më pëlqen shumë të imagjinoj… Jam një artist, aktor e shpesh kam dëshirë t’i rijetoj emocionet. Për mua, një gjë e tillë është madhështore dhe mjaft tërheqëse, e sidomos kur ka të bëjë me bëmat e një heroi të madh, siç është Skënderbeu. A.C.Scanderbeg në mesin e miqve të tij në Krujë I pushtuar kokë e këmbë nga këto mendime, u nisa nga Bari në mbrëmjen e 17 prillit, reth orës 23.00. Të nesërmen në mëngjes, sa zbardhi agimi, pak më parë se anija të prekte brigjet e portit të Durrësit, me aparatin tim fotografik nisa të përjetësoj çdo çast e minutë që kalonte. Kërkoja t’i fiksoja të gjitha pamjet dhe së bashku me to edhe emocionet e mija, që përziheshin vrullshëm me lojën dhe dritëhijet e valëve që përplaseshin zhurmshëm me trupin e anijes. Kisha fjetur shumë pak dhe gjatë natës së kaluar kisha lexuar e rilexuar fragmente të jetës së Gjergjit: ishte ora shtatë e mëngjesit dhe mua më dukej sikur ndodhesha ende në atë dimension midis ëndrrës, dëshirës, të papriturave, shpresave, lodhjes dhe këtij realiteti detar. Zemra kishte filluar të më rrihte me nxitim. Kur hymë në portin e Durrësit, munda të shquaj një mol gjysmë të shkretë dhe disa njerëz që vinin vërdallë rreth një ngarkese, mbi një anije që tundte flamurin … nuk ishte e mundur… jooo… më bënin sytë apo me të vërtetë shihja flamurin turk ?! Ndjeva disa „drithërima“ të vogla që më pushtuan të tërin. Mbi molin shqiptar po më priste një anije turke?! Si ishte e mundur? (vazhdon duke qeshur) Prisja të shihja pëpara meje morinë e flamujve shqiptarë, ku valvitej e njëjta stemë, si ajo e familjes time e në fakt… E megjithatë, pas një reflektimi të shkurtër mbeta i kënaqur, mbasi arrita të kuptoj se tashmë shqiptarët dhe turqit punonin së bashku. Pas pak, si duke përshkuar një urë lëvizëse mbi hendeqet mesjetare, zbrita prej kështjellës së metalit notues, i mbështjellë me flamurin shqiptar që kisha marrë me vete në valixhen time. Mbasi preka dhe putha truallin shqiptar, mu duk sikur dëgjova dikë që pëshpëriste prapa krahëve të mij: « Ky duhet të jetë gjysmë i çmëndur ! » Mereme LLUBANI: Çfarë dinit më parë për Shqipërinë dhe shqiptarët? A.C.SCANDERBEG: Tani nuk më kujtohet mirë se çfarë dija ... Mund të them atë që di tani : kujtimet që kisha mbi Shqipërinë para kësaj vizite, janë fshirë në atë mënyrë, sikur të riformohej hard-disku i një kompjuteri. Megjithatë, përpara viteve 90, mendoj se nuk duhet të kem ditur pothuajse asgjë. E meqënëse nuk kalonte asnjë informacion, për italianët, Shqipëria ishte një hije mbi hartën gjeografike. Pas rënies së diktaturës, shqiptarët e parë që erdhën në Itali më kanë treguar disa ngjarje. Më kanë folur mbi gjëra që nuk funksiononin në Shqipëri, por që ndonjëherë edhe funksiononin. Më ka bërë përshtypje fakti që më parë, në Shqipëri nuk ekzistonin automjete private dhe rrugët ishin pothuajse të boshatisura. Nëqoftëse mendoj trafikun e tmershëm të Romës, më vjen të thërras: « sa bukur! » Por ideja se nuk mund të lexoje libra nga shumë autorë të botës, nuk mund të dëgjoje muzikë nga vëndet e tjera apo të ndiqje emisione të kanaleve të huaja televizive, disi më ka tmerruar ! Megjithatë kjo nuk është asgjë, nëqoftëse do të flasim pastaj për burgjet, për hakmarrjet, dënimet, raprezaljet e për pushkatimet, për varjet në litar të desidentëve ; atëherë kemi të bëjmë me rrokullisje në absurditetin e fatkeqësisë njerëzore. Nga ana tjetër, pas viteve 90, për fat të keq në Itali kanë ndodhur gjëra pak të pa pëlqyeshme: si veprime kriminale, vjedhje, grabitje, të kryera nga shqiptarët. Dhe kjo, sigurisht, nuk i ka ndihmuar imazhit që italianët kanë për Shqipërinë. Por të gjithë e dimë mirë se e keqja ndodhet kudo. Dje, mbasi u ktheva nga vizita ime e parë në Shqipëri, po flisja për Vëndin e Shqipeve me time motër dhe ajo më vështronte si me dyshim, pasi disa shqiptarë kishin vjedhur makinën e një mikut të saj. Beh, unë iu përgjigja se edhe italianët janë të famshëm për vrasjet, grabitjet, mafien, politikanët e korruptuar, etj.etj. e ajo m’u kthye me sarkazëm: “Çfarë po bën Scanderbeg ?! Je duke mbrojtur shqiptarët e tu?” Unë fillova të qesh sepse edhe ajo, në fund të fundit është një Scanderbeg, si unë… Mereme LLUBANI: Ku u përqëndrua vizita juaj? A.C.SCANDERBEG: Vizita ime u përqëndrua në Tiranë dhe në Krujë : gjatë javës që qëndrova në Tiranë, kalonim shpesh nga « sheshi im », (siç e quanin me shaka miqtë e mij shqiptarë), për të përshëndetur së afërmi stërgjyshin e brezit të dhjetë. Pritje madhështore në hyrje të Muzeut të Krujës Në këtë qytet munda të njoh përsonalitete të botes shqiptare si Ylli Pango, ministër i Kulturës, me të cilin diskutuam mbi projektet e përbashkëta artistike të së ardhmes ; Liri Belishovën, këtë grua që iu përkushtua Shqipërisë dhe u kthye pa dashur në një simbol rezistence gjatë diktaturës. Dëgjova tregimet e saj të përvuajtura mbi të kaluarën, të cilat më tronditën tej mase. Në Itali do përpiqem të gjej një botues për ditarin dhe lirikat e shkruara nga vajza e saj, Drita Çomo - një Ana Frank e fundshekullit të njëzetë e cila u largua nga jeta në moshën 23 vjeçare. Gjëja që më ka lënë më shumë mbresë kur çfletova dorëshkrimin në italisht, ishin vargjet e saj plot dashuri për jetën, duke qënë e vetëdijshme për sëmundjen e pashërueshme dhe vdekjen që e kërcënonte së afërmi. Kam takuar në Tiranë shumë artistë shqiptarë, si Ibrahim Madhi e Lorenc Radovani, Pëllumb Vorpsi, Kastriot Tusha e Mario Guralumi dhe kam mundur të njoh më mirë nga afër pianisten e madhe Edlira Dedja, së cilës i detyrohem me gjithë zemër për përkushtimin e saj dhe mundësinë që krijoi për realizimin e këtij udhëtimi të paharruar. Nuk dua të lë pa përmëndur edhe miqtë e mij të rinj (dua të kujtoj Mimozën, Regën, Fridën, Andin, Jolandën, Bardhin, Gavroshin, Violetën, Sokolin, Lauretën, Edmondin, Norën, Edlira Birkon e shumë të tjerë), që më kanë mirëpritur me shumë ngrohtësi. Së fundi, desha të flas pak më gjatë për takimin e paharruar me skulptorin e shtatoreve të drunjta, « jashtëtokësorin » Llesh Biba. Ditën e fundit të qëndrimit tim në Tiranë, në brëndësi të ateliesë së tij artistike, në delirin e marrëzisë së tij prej rapsodi antik, si një mjeshtër këngëtar i mesjetës - i madhërishëm e njëkohësisht dionisiak - ai nisi të lartësonte përpara meje heroizmat e Skënderbeut, nëpërmjet skulpturave të tij të çmuara, gdhëndur në dru. Ato më shpaloseshin përpara syve dhe përplaseshin me zhurmë mbi tryezë, ndërkohë që në veshë më vinte uturima e pasionuar e zërit të tij mbi bëmat e heroit të madh. Dhe në të njëjtën kohë provonte të më xhvishte rrobet e mija duke më zënë ngushtë, por duke arritur, nga ana tjetër, të merrte edhe pëlqimin tim, mbasi po më mbulonte me veshjet katërqinvjeçare tradicionale të epokës së Skënderbeut. Si pa kuptuar ndjeva përkrenaren e bridhinjtë mbi kokën time, mantelin që m’u hodh mbi shpinë dhe shpatën, të cilën e mora në dorë pa hezitim. Me një dritë eksitimi në sytë tij, dukej sikur më ftonte në një udhëtim imagjinar për në botën e humbur prej shekujve. Dhe ai njëhësohej, futej në botën e baba Gjonit, duke kërkuar me këmbëngulje të celebronte ritin martesor me një Donikë "in carne e ossa", duke na shtyrë të premtonim dashuri të përjetshme përmes verës e mjaltit të shënjtëruar ! Ishte një delir që zgjati dy orë të tëra ; që më zbaviti me të vërtetë e nga ana tjetër, edhe më magjepsi e sugjestionoi shumë, nga qe Lleshi ishte … thellësisht serioz ! E jashtëzakonshme e njëkohësisht e papërsëritshme ! Llesh Biba, nëpërmjet artit ja kishte kushtuar jetën e tij Skënderbeut. Një falenderim nga zemra ! A.C.Scanderbeg në ambientet e Muzeut të Krujës Por ëmbëlsira e kësaj vizite, nëqoftëse mund ta quaj kështu, ishte udhëtimi për në Krujë… Mereme LLUBANI:Pra, ju vizituat Krujën, qytetin ku jetuan paraardhësit tuaj. Çfarë mbresash ju la kryeqëndra e Kastriotëve? A.C.SCANDERBEG: Mendoja se ky udhëtim do të ishte për mua një lloj « eskursioni skolaresk » dhe as që mund ta imagjinoja se çfarë suprizash më prisnin atje ! Pasi përshëndeta « gjyshin » tim në hyrje të Krujës, krenar e hijerëndë mbi kalin madhështor prej bronxi, së bashku me miqtë dhe gazetarët filluam në këmbë « pelegrinazhin » drejt fortesës-muze. Gjatë rrugës ndalonim me djemtë e vajzat gjimnaziste, nxënësit e shkollave fillore, që ecnin nëpër rreshta të rregullt mbas mësueseve të tyre ; përshëndesnim tregtarët, artizanët, prej të cilëve pak nga pak filluam të blenim elemente të veshjeve tradicionale, kalimtarët kuriozë që ndodheshin nëpër rrugët e qytetit, me të cilët shkëmbenim herë pas here ndonjë bisedë e pastaj fiksonim me aparatet fotografi-kujtimi. Kur kapërcyem tunelin e gurtë, përprara se të shfaqej me madhështi simboli i qëndresës pesëqindvjeçare shqiptare, për çudinë time të madhe, në pragun e shkallëve të hyrjes së muzeut pashë të bashkuar një kortezh që më uroi mirëseardhjen, si të isha një Skënderbe i vërtetë ! Në krye të tij ndodhej kryetari i bashkisë së Krujës, të cilin pata nderin ta njoh së afërmi, drejtori i muzeut, grupi i muzikës tradicionale « Pleqtë e Krujës » dhe vallëtarë të rinj popullorë, të gjithë të veshur me rrobe tradicionale! Një festë e vërtetë ! Sapo kapërceva prakun e muzeut, në skajin përballë hyrjes më dha mirëseardhjen një skulpturë hijerëndë dhe madhështore prej graniti, që paraqiste të madhin Skënderbe me disa prej princave të viseve të tjera shqiptare. Vizita në muze ishte e mrekullueshme, drejtuar me mjeshtëri të madhe nga drejtori i muzeut, i cili fliste me një italishte të pasur e të rrjedhshme. Përveç ilustrimeve që i bënte historisë dhe objekteve që ndodheshin atje, ai më mundësoi të marr në duar përkrenaren, të nxjerr shpatën nga këllëfi e të ulem mbi fronin e Kastriotëve. Sa herë që gazetari dhe miku im Andi Bica më ftonte t’i bëja këto gjëra, unë frenohesha dhe zihesha ngushtë, mbasi e dija se ishte e ndaluar të prekje objekte të tilla me vlerë, edhe pse ishin kopje të origjinaleve. Por ai vazhdonte, duke qeshur : « Fai, fai con comodo, non preocuparti. In fondo è roba tua ! » (Jepi, mos çaj kokën. Në fund të fundit është prona jote !) Surpriza më e madhe e asaj dite ishte mbrritja në taracën e muzeut, ku na priste grupi muzikor, midis të cilëve munda të dalloj një mjeshtër këngëtar fisnik e krenar, që me forcën e ekspresivitetit të tij e përgënjeshtronte moshën e moçme (92 vjeçare) kur ia merrte këngës-himn mbi lavdinë e Skënderbeut. Çifti i vallëtarëve të rinj ndiqte hapat antike të valles e një djalosh kurajoz recitonte me temperament e pasion një pjesë nga poema kalorsiake mbi bëmat e të Madhit…Me një fjalë, një ditë madhështore dhe e paharrueshme ! Dhe një falenderim të veçantë, me këtë rast për Mehmet Llubanin, që bëri të pamundurën për këtë organizim të përsosur ! Atë ditë pata nderin të njihja edhe dy nga ikonat e kinemasë dhe teatrit shqiptar : Marjeta dhe Rikard Larja, hiri i të cilëve shpërndahej në tërë ambjentin përreth duke na bërë të gjithëve për vete. Një ditë e paharruar ! Kështu, të flasësh për « sadisfaksion të veçantë », më falni, por është shumë pak. Mereme LLUBANI:Edhe pse qendrimi juaj qe i shkurtër, cilat janë përshtypjet për ditët që përjetuat në përgjithësi atje? A.C.SCANDERBEG: Përshtypjet e mia janë të shumta, disa prej tyre jo edhe aq pozitive, nuk mund ta mohoj. Ja p.sh. duke udhëtuar Durrës - Tiranë dhe Krujë - Tiranë me makinë, kam vërejtur se ndodhem midis një kantieri të hapur e të ndërtuar pa një plan ambiental - arkitektonik. Midis këtyre qyteteve, mbi autoudhë, gjindesh papritur midis një grumbulli të pambaruar konstruksionesh. Nuk të sheh syri fusha të gjelbëruara ose edhe po i pe, ndodhen shumë larg. Njerëzit kapërcejnë në këmbë, nga një krah i rrugës automobilistike në tjetrin, pa e vrarë mëndjen për rrezikun e as për mungesën e ndriçimit apo gropave që ka në të. Më shumë se një herë kam mundur të përplas dikë me makinë. Shumë kaos. E gjithë kjo, është shumë e rrezikshme. A.C.Scanderbeg me shpatën e Skënderbeut në dorë ( Muzeu i Krujës) Lagjen ku vizitoja miqtë e mij në Tiranë e quaja Beirut, sepse për të mbrritur deri atje, shpesh ndjeja nevojën e një mjeti ushtarak transporti. Por krijoheshin edhe situata surrealiste dhe kurioze: përballë banesës së njërit prej miqve të mij ishte një parkim, ku makinat ngjisheshin pas njëra tjetrës pa asnjë lloj rregulli. E për të dalë nga ky parkim, do të duhej t’i bije citofonit të dikujt për të kërkuar pronarin e makines që pengonte hyrjen! Pastaj, nëpër rrugë ndjeja në trup erën e plumbit të benzinës. Kështu, ideja që m’u krijua (më falni nëqoftëse e them pa rezerva), ishte se në përgjithësi, në shumë aspekte të jetës shqiptare, as nuk respektoheshin e as nuk kishte shumë rregulla për t’u zbatuar. Për sa i përket gjithë pjesës tjetër, nuk kam parë kurrë në jetën time njerëz më të dashur se shqiptarët. Mikpritës, të afërt dhe pasionantë. Pashë një ndeshje të futbolli shqiptar në televizor : lëshoheshin të gjithë mbi topin si « djaj » – e pabesueshme – njerëz që u vlonte gjaku nëpër vena! Është me të vërtetë për të ardhur keq që Shqipëria nuk mbërrin asnjëherë në finalet e botërorit, por jam i sigurtë se do të vijë koha edhe për këtë. Pashë në Tiranë dyqane që qëndronin të hapura deri në tre të mëngjesit, gjë që s’e kisha parë kurrë në vënd tjetër. Pashë nëpër rrugë pleq që luanin shah. Një gjë e tillë në Itali, tashmë vetëm mund të ëndërrohet. Në restorantet me muzikë « dal vivo » admiroja më të moshuarit që kërcenin me vrull midis të rinjve. Secili flet më shumë se një gjuhë të huaj, janë inteligjentë dhe mësojnë menjëherë çdo lloj gjëje. Pra, kam patur përshtypjen se shqiptarët janë një popull shumë aktiv, me shumë temperament, me mjaft energji, me dëshira për të ecur përpara, shumë të çiltër e të thjeshtë. E një gjë e tillë është e jashtëzakonshme në një epokë në të cilën, për fat të keq, bota ndodhet si në anestezi. Mos ndoshta sekreti qëndron tek rakia ? E futa në gojë dhe ezofagu filloi të më nxirrte tym. Dikush më tha: “Si është e mundur, një Skënderbeg që nuk ka kurajo të pijë raki ?! » E di, - i thashë - por pas 600 vjetëve membranat dobësohen e ligështohen dhe kockat fillojnë të më dhëmbin nga pak ! Mereme LLUBANI: Ju jeni pinjolli i dytë i familjes Kastrioti që viziton tokën e të parëve, brenda pak viteve. Sa pasardhës janë aktualisht dhe si janë lidhjet mes familjes së madhe Kastrioti ? A ekzistojnë dokumenta që e deshmojnë pemën gjenealogjike të familjes suaj ? A.C.SCANDERBEG: Nëqoftëse ekziston ende familja Castriota Scanderbeg në Itali, duhet të falenderojmë baballarët e viteve 800, katragjyshin tim Giorgio e mbi të gjitha, djalin e tij Francesco, lindur më 1840, i cili pati tetë djem, të gjithë të trashëguar me fëmijë. Midis viteve 1500 dhe 1800, familja ka rrezikuar gjithnjë të shuhet, mbasi shpesh ka qënë vetëm njëri prej djemve që vazhdonte trashëgiminë, sepse në atë kohë kishte shumë vdekje dhe njerëzit vdisnin më të rinj. Nga Gjergj Kastrioti kanë kaluar katërmbëdhjetë gjenerata ; i biri, Gjoni (Giovanni), që u vendos në Puglia dhe që vdiq në viti 1514, lindi Ferrante-n, i cili vdiq në 1561 dhe lindi Pardo-n, që vdiq në 1596 dhe lindi Fabio Costantino-n, që vdiq në 1615 dhe lindi Costantino Alessandro-n, i cili vdiq më 1643 dhe lindi Vitantonion, që vdiq në 1716 dhe lindi Alessandro-n, i cili vdiq më 1743 dhe lindi Vitantonio-n, i cili vdiq më 1811 dhe lindi Alessandro-n, që vdiq më 1803 dhe lindi Giorgio-n, që vdiq më 1846 dhe lindi Francesco-n, i cili vdiq më 1905 dhe lindi Luigi-n, i cili u spostua në Napoli dhe vdiq në vitin 1954, duke trashëguar Costantino-n, babain tim, pas të cilit vij unë, i lindur në Napoli dhe i vendosur në Kalabri. Nga ana e gjyshit tim Luigi, sot janë njëmbëdhjetë Castriota Scanderbeg. Ç’është e vërteta, midis familjes tonë dhe familjeve të tjera në Itali me të njëjtin emër, nuk janë ruajtur lidhjet, por do të ishte gjë e bukur sikur të mund të themelonim një lloj "Lidhjeje të pasardhësve të Skënderbeut" (Lega della discendenza di Scanderbeg). E di që bashkë me pasardhësit e tjerë të familjes sonë është edhe një tjetër Alessandro, mjek i njohur ndërkombëtarisht me studimet e tij shkencore. Ai jeton në Lecce dhe me sa di unë, e ka vizituar Shqipërinë për herë të parë në vitin 2004. Unë me Alessandron kemi të njëjtin katragjysh, Giorgio-n, vdekur më 1846. Ndërsa xhaxhai im, një tjetër Giorgio nga Napoli, merr pjesë në rrethin e universitetit napoletan në të gjitha takimet shkencore mbi prejardhjen e familjes dhe kushëriri im Roberto, duke qënë njeri i ligjit në Romë, është ai që ka studiuar dhe vazhdon të studiojë në arkivat e historisë, duke i dokumentuar të dhënat. Ekzistojnë të gjitha dokumentet në arkivin e Napolit dhe të Lecce-s që vërtetojnë pasardhësit e Gjergjit. Por mbi të gjitha, në arkivat e mëdha të Romës e të Napolit, ekzistojnë shumë dokumente të tjera, që do ta bënin edhe më interesante historinë e vazhdimësisë së kësaj familjeje. Ka qënë një poeteshë e famshme në familjen tonë Castriota Scanderbeg, Isabella, vdekur më 1749 ; ka pasur gra e burra klerikë të lartë, po ashtu, dy të tjetë (të quajtur Vitantonio) që janë martuar me kushërirat e tyre Scanderbeg (Isabella e Doneca). Në përgjithësi, Scanderbeg-ët janë shquar për shpirtin e tyre liridashës. Kanë marrë pjesë në lëvizjet revolucionare të 1848-tës ; stërgjyshi im Francesco ishte një oficer i Giuseppe Garibaldi-t, xhaxhai im Luigi ishte një partizan i Luftës së Dytë Botërore dhe është pushkatuar nga nazistët më 1944. Pra, mund të thuhet se përveç luftrave për çlirimin e Shqipërisë, Scanderbeg-ët kanë kontribuar edhe në çlirimin e Italisë. Mereme LLUBANI:Mendoni se ky takim me tokën dhe gjakun tuaj do t’i ndryshojë sadopak "planet" e së ardhmes ? Nëse po, çfarë konkretisht? A.C.SCANDERBEG: Tashmë, diçka ka ndryshuar në të vërtetë. Për momentin nuk mund ta them se çfarë, por mund t’ju them vetëm se diçka ka ndryshuar përgjithmonë brënda meje. Për mua ka qënë një befasi e madhe mikpritja e shqiptarëve: nuk prisja kaq ngrohtësi ! Për momentin, janë duke u studiuar projekte të ndryshme artistike e për mua, por besoj edhe për të tjerët, do të ishte e mahnitshme nëqoftëse do të mund të vihej në skenë një dramë ose një film mbi Skënderbeun : do të ishte realizimi i asaj që kam ëndërruar prej fëminisë, Skënderbeu interpretuar nga një Skënderbeg ! Do të ishte madhështore, mendoj. Në perspektivë janë edhe disa ide që kanë të bëjnë me muzikën. Por ka kohë për të gjitha; Shqipëria, më në fund, më ka bërë për vehte dhe tashmë s’mund të arratiset më prej zemrës time. Një ide tjetër, që më ka lindur papritur është edhe krijimi i një lloj « Lidhjeje të Lezhës », për të mundësuar kthimin legjitim të shpatës dhe përkrenares së Skënderbeut, që momentalisht ndodhen në muzeun e Vienës. Në fund të fundit, ato janë objekte të familjes e duhen risjellë në Krujë, në vëndin e vërtetë të origjinës së tyre. Kushedi ! E pastaj, pse jo ! Një ditë mund të ndodhë edhe diçka tjetër : të rikthehet edhe një herë në Shqipëri gjaku i Skënderbeut, pas disa shekujsh… A.C.Scanderbeg me miqtë e tij përpara muzeut të Krujës Kur mbrrita në Bari, pas kthimit nga Shqipëria, qëndrova në rradhë njëzet minuta përpara se të kaloja doganën. Kur ju afrova kabinës së doganierit, dikush m’u drejtua me këto fjalë: « A e dini, që sipas rregullave mund ta kishit evituar rradhën ? » Ju përgjigja se nuk e kuptova për çfarë fliste. E ai ma ktheu : « Si është e mundur ?! Ju jeni italian e mund të kalonit përpara të tjerëve. Përse qëndruat në rradhë, së bashku me shqiptarët ? » Më duket se kjo ishte një shënjë… Mereme LLUBANI:Edhe pse pak ditë ju ndajnë nga kthimi, a keni mall për Shqipërinë? A.C.SCANDERBEG: Po, kam filluar ta ndjej mungesën e Shqipërisë. Duhet ende ta marr vehten. Në Itali, në fund të disa shfaqeve që kam patur me dramën « Jeta e Galileut », në të cilën interpretoja këtë shkencëtar nga Piza, herë pas here vinin njerëz që më prisnin pas kuintave për të më njohur nga afër e transmetuar komplimentet e tyre. Dhe gjithnjë, regjisori mbetej si i ngrirë. E më thoshte shpesh : « Nuk më ka ndodhur kurrë një gjë e tillë ! Ti nuk je Brad Pitt, e megjithatë, vinë e të përshëndesin sepse je pasardhësi i dikujt !? E çuditshme !? » Është e vërtetë. Mbasi në Itali, në përgjithësi e njohin emrin e Skënderbeut, por jo historinë e tij dhe kështu, nuk mund ta kuptojnë të gjithë madhështinë e mrekullive që ka bërë ai. E dinë pak njerëz, si ata që vinë e më përshëndesin pas kuintave, nën vështrimet pyetëse të regjisorit. E dinë shqiptarët krenarë, që e kanë në gjak. E më vjen keq, që gati të gjithë librat e historisë në Itali nuk kanë pothuajse asnjë shënim reth tij. Në Shqipëri kam mundur ta kuptoj se çdo të thotë ta çmosh me të vërtetë një hero. Shqiptarët e nderojnë dhe e çmojnë heroin e tyre dhe shpirti u mbetet gjithnjë i ndezur nga madhështia e tij, ashtu si ndodh edhe me një figurë tjetër, tashmë mitike : Nënë Terezën e Shqipërisë. Në Itali, nuk dihet nga të gjithë që ajo është shqiptare. Por e rëndësishme është që dy shqiptarët e dimensioneve të mëdha, Skënderbeu dhe Nënë Tereza, do të mbeten përjetësisht fanarë të ndritshëm për universin. Megjithatë, unë do të kthehem t’i gjej përsëri miqtë e mij të rinj reth muajit shtator ose tetorit të këtij viti. Në fund të fundit, tashmë i ndjej të afërt, shumë të afërt. Atje ku jetoj, Shqipëria është më pranë se Roma. Mjafton të përshkosh brigjet e Adriatikut. E pastaj, jam duke marrë njohuritë fillestare të gjuhës, që më duket shumë e vështirë… Mereme LLUBANI:Përveç aktrimit dhe rolit tuaj të fundit, Galileut, a mund të na bëni një prezantim të shkurtër rreth personit tuaj për lexuesit? A.C.SCANDERBEG: Jam aktor, pianist e këngëtar jazz-i. Kam punuar në teatër me kompani të ndryshme të Napolit, Romës, Milanos dhe Kalabrisë, me Teatrin e Operas së Romës, Akademinë Chigiana të Sienës, midis të cilave mund të përmëndet një bashkëpunim me Katia Ricciarelin. Vitin e kaluar u vendosa për një prodhim të ri në Teatrin “Piccolo” të Milanos, themeluar nga Giorgio Strehler, me dramën “Jeta e Galileut” të B. Brecht, ku interpretoj rolin e Galileut. Në fushën e muzikës, kam luajtur në pop-in italian me Teresa De Sio, Mario Biondi, Ivan Cattaneo e shumë të tjerë dhe kam lozur në piano e kënduar në 6 CD. Tashmë është duke u përgatitur një tjetër CD, me kuintetin tim jazz, të quajtur pikërisht “Scanderbeg Jazz Quintet” (sikur ta dinte “gjyshi” im!), në të cilin jam duke menduar të fus edhe një pjesë timen kënduar në shqip dhe po ashtu, një këngë tjetër të repertorit tradicional shqiptar, të ripërshtatur për jazz. Berlin, maj 2007 ( 1 ) Kjo intervistë (për botim në faqen pashtriku.org), është dërguar nga pianistja jonë e madhe Edlira Dedja. |